Piteri dhe Ujku – Përrallë-balet për fëmijë

“Piteri dhe Ujku”, një përrallë-balet e Prokofiev vjen premierë këtë fundjavë në Teatrin Metropol. Ky kompozim i shkruar nga Sergei Prokofiev në vitin 1936, tregon për historinë e një djali të vogël që jeton me gjyshen e tij në fshat. Narratori tregon një histori për fëmijë, ndërsa orkestra e ilustron atë. “Piteri dhe ujku” është vepra më e realizuar e Prokofiev, e cila është vënë shpesh nëpër skena ndërkombëtare për fëmijë dhe të rritur.

“Piteri dhe Ujku” do të vihet në skenë nga koreografi Sedi Memia dhe trupa e baletit të Teatrit Metropol. Një lëndinë, një kasolle… buzë pyllit, pranë një fshati. Një zog, një mace, një patë e ca rika, një ujk dhe gjahtarët… Piteri dhe gjyshja! Një përrallë e kamotshme e stilizuar në balet. Edukative, me humor dhe plot moral. Një grup balerinësh dhe një narrator që tregon fabulën, na serviren në një ambjent ekzotik. Është një vepër, fabula e së cilës njihet mjaft, por e përshtatur në balet nga vetë koreografi i shfaqjes Sedmir Memia për skenën e Teatrit Metropol. “Piteri dhe ujku” është një shfaqje që zgjat rreth 40 – 45 minuta dhe do të jetë në skenë përgjatë fundjavave në Teatrin Metropol.

Muzika: Sergei Prokofiev
Koreografia: Sedmir Memia
Interpreton: Trupa e Baletit e Teatrit Metropol
Kostumografia: Frenci Gjerasi