Piktura e Van Gogh del në ankand në Paris, ja shifra marramendëse e saj

Artisti i famshëm Vincent Van Gogh vazhdon të jetë një prej piktorëve më të njohur dhe më të dashur, kryeveprat e të cilit qëndrojnë të varura në muze të ndryshme a janë pjesë e koleksioneve të artit të pasanikëve.

Së fundmi, një peisazh i impresionistit holandez, është shfaqur të mërkurën në Paris, ku pritet të shitet në një ankand në muajin qershor.

Sipas burimeve të tanishme, kjo pikturë kap vlerën e 3 deri në 5 milion euro dhe do të jetë e para vepër e Van Gogh që shitet në Francë pas më shumë se dy dekadash.

E realizuar në vitet e para të karrierës së artistit, piktura është frymëzuar nga jeta në fshatrat rreth Hagës, ku Van Gogh kaloi një kohë të shkurtër, por shumë të rëndësishme për krijimin e stilit të tij artistik.

Piktura, si peisazhi i vetëm i realizuar nga artisti gjatë kësaj periudhe, përmban shumë elementë që më vonë u kthyen në simbole të punës së tij, duke përfshirë këtu edhe qiejt e veshur nga retë.

Në një letër dërguar vëllait të tij, Van Gogh ka shprehur inspirimin e tij nga gratë fshatare, të cilat shfaqen në pikturë teksa lëvizin nëpër arat me kokat e mbuluara me shami.

Organizatorët e këtij ankandi kanë deklaruar se rëndësinë kjo pikturë e merr edhe nga qëndrimi për 25 vite në disa prej muzeve më prestigjoze në botë. Ai do të mbahet më 4 qershor në Paris.