Piktorja Alije Vokshi, restrospektivë në Ministrinë e Kulturës në Kosovë

Më 16 shkurt 2018, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të hapet ekspozita e parë në kuadër të Programit Artistik të GMK-së për vitin 2018.

Viti 2018 fillon me ekspozitën “Retrospektivë,” të piktores së mirënjohur, Alije Vokshi.

Piktorja Alije Vokshi është gruaja e parë shqiptare nga Kosova që diplomoi për pikturë.

Por kush është Alije Vokshi?

Ajo ka lindur në vitin 1945 në Prishtinë. Ka mbaruar Shkollën Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa përfundoi studimet e magjistraturës në Beograd në vitin 1981. Ajo kreu edhe një vit specializim në Paris dhe më pastaj u angazhua deri në pensionim, si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës nga viti 1974-2015.
Kjo ekspozitë retrospektive shpalosë një pjesë të krijimtarisë së piktores Alije Vokshi dhe janë veprat e para me të cilat nisi karrierën.