Përkujtohet në ditën e lindjes Gjergj Pekmezi, një figurë e ndritur kombëtare

Sot bëhen 146 vite që prej lindjes së linguistit të njohur shqiptar, Gjergj Pekmezi, i cili lindi më 23 prill 1872 në Tushemisht dhe ndërroi jetë më 24 shkurt 1938.

Studimet e para i kreu në Ohër e Manastir, kurse studimet e universitare i bëri në Beograd e në Vjenë, ku u diplomua më 1898 për filozofi dhe filologji. Më 1903 u emërua Shef i Katedrës së Gjuhës shqipe në Universitetin Oriental të Vjenës.

Pas një viti themeloi Shoqërinë Kulturore Patriotike “DIJA”. Më 1908 boton veprën monumentale “Gramatika e Gjuhës Shqipe”, duke u bërë kështu gramatikanin e parë shqiptar. Pas kësaj në bashkëpunim me gjuhëtare gjermanë, boton: “Bibliografia e Gjuhës Shqipe”, “Udhëzuesi i Gjuhës Shqipe “, “Libër Mësimi e Ushtrimesh në Gjuhën Shqipe”, “Gjuha Shqip dhe Dialektet”.

Do të dërgohet nga Akademia e Shkencave austro-hungareze në Shqipëri për qëllime studime ku do të hartojë monografinë në dorëshkrim “Tiparet dalluese thelbësore të dialekteve kryesore të shqipes, të toskërishtes dhe gegërishtes”, një ndër studimet e para të dialektologjisë shqiptare dhe me vlera për këtë disiplinë. Do të pasohet me një punim tjetër “Raport provizor për stdudimin e së folmes së Elbasanit”(1901). Më 1908 do të botojë në Vjenë “Gramatikë e gjuhës shqipe”(gjermanisht), një ndër veprat më të mira të autorit dhe të gjuhësisë shqiptare për atë kohë. Këtu, ne mësojmë edhe disa mendime të autorit për gjuhën letrare, të cilat do t’i përsërisë edhe një vit më vonë në revistën “Diturija” të Mithat Frashërit që dilte në Selanik. Ndërsa më 1909 do të jetë bashkautor në botimin “Bibliografia shqiptare”, duke hyrë kështu në historinë e bibliografisë sonë.

Më 1916 është Kryetar i “Komisisë Letrare të Shkodrës”, ku me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën e patriotë të tjerë bënë punë të mëdha për shkollat, gjuhën tonë dhe librat shqip. Më 1908 zbulon memorandumin e famshëm të 1878-ës që Vaso Pasha e Sami Frashëri i dërguan Kongresit të Berlinit. Në këto vite transkripton librin: “Bleta Shqiptare” të Thimi Mitkos.

Po kaq i madh është kontributi i tij si patriot dhe diplomat i Shqipërisë. Është i famshëm qëndrimi i tij në 1913, pranë Komisionit Ndërkombëtar të kufijve, ku me mençuri vërtetoi shqiptarësinë e trevave të jugut, kundër synimeve greke.

Në vitet 1920-24 emërohet Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë pranë Republikës së Austrisë. Riemërohet në këtë detyrë më 1926-28, vit në të cilën emërohet profesor në Universitetin e Vjenës, Katedra e Gjuhës Shqipe.

Këtë detyrë e kreu deri më 24 shkurt 1938, kur papritur vdiq. Përveç veprave të lartpërmendura, ai ka mbledhur e dorëzuar 8177 faqe të daktilografuara me materiale e relacione të konsujve Austro-Hungarezë të Shkodrës, Prizrenit, Janinës, Stambollit, nxjerrë nga arkivi i Ministrisë të jashtme të Austro-Hungarisë. Sot katedra e albanologjisë ne Universitetin e Vjenës mban emrin “Prof. Dr. Gjerg Pekmezi”.