Përgatituni të jeni dëshmitarë të një tragjedie njerëzore, “Makbeth” ju pret në Teatrin Kombëtar

Pas një serie fotosh, që tregojnë aktorët e kësaj drame komplet të transformuar, më në fund “Makbeth” do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar më 9, 10 e 11 mars, ora 19:00.

Vepra do të vijë për herë të parë si një produksion shqiptar nën regjinë e Kled Kapexhiu, i cili pritet të sjelli një tronditje shekspiriane në skenën shqiptare. Aktorët e përzgjedhur janë disa nga emrat më të njohur të botës së aktrimit, ndërsa mësohet se rolet kryesore i janë besuar Luli Bitrit, si Ledi Makbeth dhe Indrit Çobanit, në rolin e Makbethit.

Të tjerë artistë që do të ngjiten në skenë për të interpretuar janë edhe Arben Derhemi, Neritan Liçaj, Laert Vasili, Suela Bako, Egla Ceno, Klodiana Keco etj. Stafi realizues mbart në vetvete figura po aq të njohura të fushës së krijimtarisë në Shqipëri: Skenografia do të realizohet nga Genc Shkodrani, kostumografia dhe maskat nga Gerta Oparaku, realizimi i kostumeve mban emrin e Enada At’Nikollës dhe muzika do të realizohet nga Bled Boraku.

“Mua më ka pëlqyer përqëndrimi që bën Shekspiri tek personazhi kryesor, tek tronditja e personazhit. Te stërmundimi, sfilitja, drama dhe tragjedia personale. Pastaj i kam dhënë dhe një drejtim se si zhvillohet, në çfarë rrethane ndodh kjo tragjedi, ku ky vërtetë është vrasës por dhe ata që vijnë më mbrapa janë po sërish vrasës”, është shprehur Kapexhiu.

Makbethi është një ndër tragjeditë e Shekspirit ku paraqitet lufta e përgjakshme për pushtet në Skoci gjatë shekullit XI. Makbethi është një gjeneral në ushtrinë e mbretit dhe një ditë krejt papritur ai ndeshet me një magjistare. Magjistarja parashikon fatin e tij dhe i tregon se një ditë ai do të bëhej mbret, por se nuk e dinte se ku. Pas këtij parashikimi ai nuk resht së menduari se një ditë do të bëhej mbret, këtë gjë ai ia tregon dhe të shoqes, e cila tepër ambicioze dhe gjakftohtë e bind Makbethin që të vrasë mbretin e Skocisë.

Në fillim të veprës kemi një gjakftohtësi nga të dyja palët, por Makbethi kishte vrarë disa në fushën e betejës, por ata kanë qenë armiq dhe ai nuk ka vrarë kurrë në përfitim të tij, por vetëm në shërbim të mbretit.

Image may contain: 2 people, people smiling, night, child and closeup

Zonja Makbeth, pa u menduar e bind Makbethin se gjëja më e mirë për t’u bërë ishte vrasja e mbretit dhe më pas ai do të merrte fronin. Ajo shprehet në mënyrën më mizore, duke thënë se n.q.s mbreti nuk do t’i ngjante të atit, ajo do ta vriste vetë. Por gjatë skenës së krimit, autori ka dhënë një skenë rëqethëse dhe tregon dobësinë e Makbethit.

Por edhe pas kryerjes së krimit, Makbethi nuk arrin të jetë i lumtur, sepse këtë gjë ia pengon ndërgjegjja e tij, e cila nuk e lë të qetë nga ndjenja e fajit. Gjatë veprës jepet edhe dobësimi i karakterit të zonjës Makbeth. Ajo gjithashtu torturohet nga vetë ndërgjegjja e saj për krimin që shtyu të shoqin të kryente, i cili në një çast dobësimi kish pranuar ta kyente. Dhe Makbethi vdes.