Paul Celan – Lulëkuqja dhe kujtimi

Ndonjëherë nuk merr rëndësi për letërsinë vetëm dita e lindjes apo e vdekjes së një shkrimtari, por edhe dita e lindjes së veprës së tij.
Botimi i këtij libri është, pa dyshim, rast për t’u festuar: ditëlindja në shqip e poetit Paul Celan, për herë të parë, përmes vëllimit poetik“Lulëkuqja dhe kujtimi”, që e bëri atë të njohur në të gjithë hapësirën gjermanishtfolëse e më pas kudo në botë. Autori më domethënës i lirikës simboliste dhe surrealiste gjermane na shpërfaq, që në poezitë e tij të para, të të parit vëllim poetik, “Lulëkuqja dhe kujtimi”, kualitetin e lartë të vargjeve; këtu çdo poezi është një vepër arti më vete, dhe jo aq e thjeshtë për t’u kuptuar nga çdokush.
Versi poetik endet midis jetës dhe vdekjes, midis kujtimit dhe harresës,midis luleve që çelin dhe zjarrit zhuritës, polaritet ky që kuptohet qysh në titullin e vëllimit.
Paul Celan-i ishte i pari poet i gjuhës gjermane, që faktet e tmerrshme dhe përvojat e Holokaustit i përktheu në lirika. Vëllimi poetik “Lulëkuqja dhe kujtimi” theu heshtjen shtypëse të fajit dhe njëkohësisht pohoi traditën dhe aftësinë ripërtëritëse të poezisë gjermane. Këtij vëllimi poetik i takon edhe “Fuga e vdekjes”, poema më e famshme e periudhës së pasluftës dhe më identifikuesja e Paul Celan-it, që shpreh, përmes një perceptimi krejt origjinal, trishtimin e madh njerëzor mbi shfarosjen e hebrenjve nga nacionalsocializmi, ky “Mjeshtër nga Gjermania”.
Për vetë mënyrën e shprehjes së ndjesive, ripërcaktimin e koncepteve klasike të poezisë gjermane, shkallën e lartë të ngjeshjes së figurave, formën krejtësisht në përputhje me emocionalitetin, por sidomos për muzikalitetin, poezitë e vëllimit “Lulëkuqja dhe kujtimi” janë krejt të freskëta dhe bashkëkohore.

Vendos një përgjigje

Ju lutemi të vendosni komentin tuaj !
Ju lutemi të vendosni emrin tuaj