Pas 400 ekspozitash në botë, Franco Fontana vjen me “Grand Tour Italia” në Tiranë

Ekspozita “Grand Tour Italia” u çel në Muzeun Historik Kombëtar nga fotografi italian Franco Fontana.

Jeta sociale, pamje nga jeta rurale, industriale apo urbane krijojnë një antagonizëm të ngjyrave të forta, pothuajse të ekzagjeruara dhe linja të mrekullueshme në artin fotografik të Fontanas. Këtë herë i gjendur në Tiranë për ekspozitën e tij personale përmes fotove të ndryshme, ai njihet si një nga eksponentët më të mëdhenj të fotografisë italiane.

Ekspozita, kuruar nga vetë Franco Fontana, mbërrin në Tiranë, pas prezantimit në Split, Rijekë, Zagreb, Beograd dhe Cetinje dhe në Itali në Lignano Sabbiadoro, dhe është realizuar në bashkëpunim me Qendrën për Kërkime dhe Arkivimin e Fotografisë, institucioni i jashtëzakonshëm i Rajonit Friuli Venezia Giulia në shërbim të kulturës, që e ka selinë në Spilimbergo.

“Nga vitet ’70 deri më sot ai ka realizuar më shumë se dyzet libra në Itali, Francë, Zvicër, Spanjë, SHBA dhe Japoni dhe e ka ekspozuar punën e tij në më shumë se 400 ekspozita personale dhe kolektive në muzetë dhe galeritë në mbarë botën”, shkruhet në faqen e Institutit Italian të Kulturës.

Fotografi me artin e tij është vlerësuar jo pak në botë dhe këtë herë vjen në Tiranë për publikun shqiptar përmes fotove të realizuara prej tij. Ekspozita është në vijim të aktiviteteve që janë zhvilluar dhe më herët në Muzeun Historik Kombëtar. Por këtë herë nuk janë tablo pikture për publikun, por janë punë që mbajnë emrin e fotografit të njohur italian.

7 tetor – 5 nëntor 2017

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë