Opera “Lakuriqi i Natës” ngjit Saimir Pirgun në Pallatin e Kongreseve

Vepra e famshme “Die Fledermaus” (Lakuriqi i Natës) e autorit Johann Strauss, do të ngjitet premierë në skenën e Pallatit të Kongreseve më 31 mars, për të vazhduar edhe më 1, 2 e 3 prill.

Kjo operetë e famshme, do të bashkojë artistët austriakë e shqiptarë, ku midis tyre do të interpretojë edhe tenori i famshëm shqiptar Saimir Pirgu. Ajo vjen përpara publikut shqiptar nën regjinë dhe koreografinë e Renato Zanella, i cili ka deklaruar se kjo vepër do të vijë e përshtatur me elementë shqiptar.

“Dialogjet mes protagonistëve, pra pjesët teatrale, do të jenë në gjuhën shqipe dhe jo në gjermanisht. Kështu që më është dashur të kuptoj këngëtarët përmes gjuhës së trupit”, është shprehur regjisori italian.

Teatri i Operas dhe Baletit është institucioni që e ka organizuar premierën e këtij produksioni të madh, i cili ka korrur një sukses të padiskutueshëm në skenat botërore.

Image result for Die Fledermaus

Në këtë vepër, roli i Saimir Pirgut është mjaft i veçantë: Ai do të luajë rolin e të ftuarit të veçantë të princit rus Orlosfsky që fton në mbrëmjen e tij një personalitet të famshëm për të kënduar, siç është edhe tenori në jetën e vërtetë. “Pra, ai ngjitet në skenë si Saimir Pirgu dhe do të këndojë tre arie”, ka bërë të ditur Zanella.

“Die Fledermaus” vjen në skenë edhe në kuadër të ‘Vitit Kulturor Austri-Shqipëri 2018’, nën dirigjimin e Lazlo Gyuker, kostumografi nga Enada At Nikolla, skenografi nga Bashkim Zahaj dhe me dirigjent kori Dritan Lumshi. Po ashtu, solistë të operës dhe solistë baleti do të përfshihen në këtë vepër që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve për 4 netë me rradhë.

Opereta “Lakuriqi i Natës” zhvillohet me disa situata të ndryshme komike, që janë mjaft të pranishme edhe në ditët e sotme. Bëhet fjalë për një grup personazhesh të shumëllojshëm, duke filluar që nga gra e burra kurorëshkelës, gjyqtarë e drejtorë burgjesh të korruptuar, politikanë pijedashës, artiste mendjelehta dhe shërbëtore që duan të arrijnë nivelin e zonjave të tyre.

Image result for johann strauss II
Johann Strauss II

Në këtë operetë trajtohet historia e Eisenstein, i cili duhet të ishte i burgosur në festën e vitit të ri pasi goditi një oficer policie. Por, ai vendos të gënjejë bashkëshorten dhe të shkojë i fshehur në ballon me maska të Princit bujar Orlofsky.

Bashkëshortja e merr vesh planin e tij dhe e ndjek nga pas, duke u prezantuar në festë si një konteshë hungareze. Pas identiteteve të rreme, Eisenstein, përpiqet të joshë konteshën pa e ditur që pas maskës është bashkëshortja e tij.

“Lakuriqi i natës” (Die Fledermau) është një operetë nga Johann Strauss ( I biri i kompozitorit me të njëjtin emër). Muzikantit iu deshën vetëm 43 ditë për të përfunduar veprën, e cila do t’i jepte atij famën. Debutoi në teatrin “An der Wienn”, në Vjenë, në 5 prill të vitit 1874, por nuk pati shumë sukses. Kritikët nuk e pranuan libretin dhe i cilësuan disa pjesë si banale. Por publiku dekretoi suksesin e plotë dhe të qëndrueshëm të kësaj vepre.

Por, pas dy vitesh opereta e Strauss do të vendosej në skenë më shumë se 100 herë vetëm në Vjenë. Ajo së bashku me “Vejushën e Gëzuar”, konsiderohen si operetat më popullore dhe të pëlqyera në botë.