Art & Kulturë

novelat grafike shqiptare

“Novelat Grafike Shqiptare” (Edicioni i 5-të) – Ceremonia e ndarjes së çmimeve

Konkursi “Novelat Grafike Shqiptare ” së shpejti do të shpallë fituesit e edicionit të pestë. Në një status të saj ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se shumë të rinj pjesëmarrës në këtë konkurs janë në pritje të fituesit.

“Kemi marrë shumë mesazhe këto kohë për “Novelat Grafike Shqiptare”. Shumë të rinj janë në pritje të një fituesi. Ditën e mërkurë, datë 11.11. 2020, ora 13:30, në odeonin e Muzeut Historik Kombëtar do të zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve të edicionit të 5-të të konkursit kombëtar të “Novelave Grafike Shqiptare”

Novelat Grafike Shqiptare- Edukimi artistik dhe gjuhësor përmes vlerave të trashëgimisë kulturor

Në faqen e Ministrisë së Kulturës më parë bëhej me dije se qëllimi final i këtij aktiviteti kulturor është edukimi artistik dhe gjuhësor përmes vlerave të trashëgimisë kulturore materiale (konteksti) dhe jomateriale (shprehja), të aplikuara në gjininë e novelave grafike si dhe mbajtja gjallë e kulturës popullore.

“Tematika e veprave që do të paraqiten është e lirë. Punët mund të bazohen në tematika shqiptare nga letërsia, legjenda dhe përralla, tregime apo gojëdhënat, kinematografi, politikë, sport, realitete të përditshme, etj.

Rëndësi duhet t’i kushtohet teknikave të punimit, mënyrave të shprehjes së fabulës, përshkrimit të karaktereve, inkuadrimit të narracionit, përdorimit të elementeve simbolike si mjete të gjuhës apo të komunikimit etj. Ky projekt synon, gjithashtu, mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Për këtë arsye rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet përdorimit të onomatopeve në novelat grafike.

Për sa i përket narracionit, ai mund të jetë në gjuhën shqipe standarde, në dialekt ose në gjuhën e pakicave kombëtare”, bënte me dije më parë ministria për këtë konkurs.

Në njoftimin e konkursit më parë thuhej se autorët mund ta paraqesin novelën grafike në gjuhën shqipe standarde ose edhe në dialekt. Ministria e Kulturës për këtë konkurs, që kalon në disa faza shprehej se në punimet e paraqitura duhet të jetë në vëmendje të pjesëmarrësve ligji i të drejtave të autorit. “Mos respektimi i këtij Ligji sjell skualifikimin e punës së paraqitur”, thuhej në njoftimin zyrtar nga Ministria e Kulturës.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).