Një memorial në kujtim të viktimave të kampit famëkeq të Tepelenës

Viktimave dhe të burgosurve në kampin famëkeq të internimit në Tepelenë tashmë do t’u dedikohet një memorial, që do të ndërtohet në po këtë qytet.

Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, ka deklaruar në korrik të vitit të kaluar hapjen e punimeve për ndërtimin e këtij memoriali, në një kamp që kanë vdekur rreth 300 fëmijë.

Po ashtu, është projektuar edhe krijimi i një pylli me 300 pemë. “Pylli i Fëmijëve me 300 fidanë do të na përkujtoje qindra fëmijë që humbën jetën nga uria dhe kushtet çnjerëzore. Ata ende sot nuk kanë varre të shenjuara. Një barrake që strehonte fatkeqët, mund të rindërtohet sipas modelit të dokumentuar nga piktori i mbijetuar Lekë Pervizi. Rrugët ku ecnin të munduarit çdo ditë për të mbledhur dru në mal mund të kthehen në rrugë të dëshmuara”, ka deklaruar në fillimet e punës zonja Sula në emër të institucionit të AIDSSH.

Projekti është miratuar me Vendimin e Këshillit Bashkiak Tepelenë nr. 40, datë 30.11.2017 “Për miratimin e objekteve prioritare të investimeve për vitin 2018”, konfirmuar në datë 14.12.2017 nga Prefekti i Qarkut Gjirokastër. Projekti i kujtesës është përfshirë në programin qeverisës 2017-2021, në kapitullin kushtuar kulturës dhe edukimit përmes saj, ku thuhet: “Rrugët e Kujtesës” janë gjithashtu një itinerar unik i Shqipërisë, që do të vijojnë të nxjerrin në pah aspektin historik dhe edukativ të siteve të ish-diktaturës, si Spaçi apo Tepelena, në vijim të projekteve tashmë të njohura muzeale të Kujtesës”.

Autoriteti ka firmosur disa marrëveshje bashkëpunimi me partnerë, të cilët ndihmojnë në mbledhjen e dokumenteve dhe të dhënave zyrtare si dhe në ndërgjegjësimin qytetar dhe edukimin shoqëror, nëpërmjet rishqyrtimit të historisë dhe rivlerësimit të saj. Për mbledhjen e dokumenteve zyrtare që faktojnë periudhën e ekzistencës së Kampit të Tepelenës është bashkëpunuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, me Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë, Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.

Në këtë kuadër, projekti është mbështetur nga Bashkia e Tepelenës dhe partnerë të AIDSSH, si PNUD (miratuar marrëveshje bashkëpunimi me vendim të Autoritetit nr. 32, datë 01.02.2018), OSBE (miratuar marrëveshje bashkëpunimi me vendim të Autoritetit nr. 46, datë 06.07.2017) e institucione të tjera, publike, akademike dhe të kërkimit shkencor. Me Muzeun Kombëtar të Kampeve të Punës në Tepelenë, AIDSSH synon të krijojë një model për të gjitha kampet e punës së detyruar në Shqipëri, ku e shkuara të shërbejë për reflektim e të mos përsëritet.

Marrëveshja me PNUD-in, për programin ambicioz “Përkujtojmë, për të shëruar dhe parandaluar” përmbledh dy ndërhyrje kryesore: (i) konceptualizimin, historinë, dhe praktikat e punës së detyruar gjatë rregjimit komunist përmes një qasje historiko – juridike ndaj institucionalizimit të punës së detyruar. Kjo do të kontribuojë në konceptimin e vendeve të kujtesës si Kampi i Tepelenës dhe (ii) fushatën e komunikimit “Edhe muret kanë veshë” zbatuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me mbështetjen e PNUD Shqipëri dhe Qeverisë së Italisë. Fushata do te shtrihet në mbarë vendin, duke mbledhur dëshmi të të mbijetuarve të dënuar gjatë periudhës komuniste dhe dëshmi të solidaritetit që qytetarët e Tepelenës treguan ndaj viktimave.

Po ashtu, marrëveshja me OSBE-në, për projekte hulumtimi dhe pune shkencore me të rinj e kërkues të interesuar për njohjen me të shkuarën dhe përballjen e shoqërisë me të vërtetën; marrëveshja me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, për bashkëpunim në projekte komplekse që hedhin dritë në Shqipërinë e diktaturës (mes të cilëve puna për kampin e Tepelenës); me Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, që mundësoi listën me të dënuarit me punë të detyrueshme në këtë kamp, 3380 persona, nga të cilët: 973 burra të moshuar, 1254 gra dhe 1163 fëmijë. Autoriteti ka miratuar me Vendim dhe me pas ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me Institutin e Historisë dhe Universitetin e Tiranës për njohjen e thelluar të së shkuarës dhe trajtimin profesional të saj.

Brenda kuadrit ligjor mbi të cilin AIDSSH mbështet punën e vet duke pasur në themel vlerat e transparencës, integritetit, bashkëpunimit, të mësuarit dhe angazhimit: Ndërgjegjësimin e publikut përmes të mësuarit të vazhdueshëm si një mënyrë për të inkurajuar angazhimin demokratik dhe marrëveshjeve ndërinstitucionale që bashkërendojnë hapat për realizimin e objektivave të kalendarit të kujtesës 2018, me mbështetjen e Bashkisë së Tepelenës, e cila ka miratuar projektin e Memorialit Kombëtar të Kampeve të Punës së Detyruar, si objekt prioritar për Zhvillimin e Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale për Artin dhe Kulturën, për vitin 2018. Ndërkohë, projektideja e Memorialit në kampin e dëbim-internimit të Tepelenës është ende në zhvillim.

Autoriteti është i hapur për bashkëpunim me të gjithë aktorët e faktorët, në mënyrë që kampi i Tepelenës, si dëshmi e kampeve të punës së detyruar në diktaturë, të përfaqësojë një vend reflektimi për të rinjtë, studentët, qytetarët dhe të nderojë sakrificën e dinjitetin njerëzor të mijëra vetave, burra, gra e fëmijë, që u keqtrajtuan në kampet e punës së detyruar në të gjithë vendin. Shqiptarët kanë nevojë për vende të tilla të kujtesës për të dënuarit e ndërgjegjes, si institucionet e burgimit apo internimit, që e kaluara të mos harrohet, të shërbejë për të kuptuar të tashmen e për të ndërtuar të ardhmen në baza më solide. Sa i takon sistemit të dëbim-internimeve, kampi i Tepelenës spikat për disa arsye:

– Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerëzore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim.

– Ai pasqyron më së miri tipologjinë e kampeve të rrethuara me tela me gjemba, të cilat nuk kanë qenë fenomen i përhapur në Lindjen Komuniste dhe mund të krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë. – Ndërsa për kampe të tjera të tilla, si ai i Beratit, Krujës, Valiasit, Cërrikut, Shijakut, Porto–Palermos, Kuçovës, Kuçit të Vlorës, etj., nuk kanë mbetur objekte kujtese, për Kampin e Tepelenës këto ekzistojnë.

Disa nga kazermat e kampit të Tepelenës ruhen ende. Për më tepër, skicat e Lekë Pervizit, i mbijetuar, japin dëshmi për t’i rindërtuar kabinat ku strehoheshin të internuarit. Projekti i kujtesës “Memoriali Kombëtar i Kampeve të Punës të Detyruar” është prezantuar publikisht në Tepelenë nga arkitekti Gjon Radovani, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Autoritetit, kryetarit të Bashkisë Tepelenë, z. Tërmet Peçi, ambasadorit të Kombeve të Bashkuara në Tiranë, z. Brian Ëilliams dhe zv. /ambasadorit të Prezencës së OSBE, z. Robert Ëilton, në prani të të mbijetuarve dhe trashëgimtarëve të tyre, qytetarëve të Tepelenës, historianëve e studentëve, përfaqësuesve të institucioneve publike dhe joqeveritare, organizatave kombëtare e ndërkombëtare dhe medias.

Vendos një përgjigje

Ju lutemi të vendosni komentin tuaj !
Ju lutemi të vendosni emrin tuaj