Art & Kulturë

Një letër prekëse e Ali Podrimjës drejtuar Dritëro Agollit: “Qëllimi im është të shpëtoj djalin”

Elona, vajza e shkrimtarit Dritëro Agolli, ka postuar një letër që poeti Ali Podrimja i ka dërguar babait të saj në vitin 1979.

Në këtë letër që ka ardhur në adresë të Agollit, shfaqet pikëllimi i thellë i Aliut, i cili sapo ka marrë vesh mbi sëmundjen e kancerit që ka prekur birin e tij, Lumin.

“Duke dashur të largohesha një çast nga punët e përditshme të zyrës dhe të ndjeja frymën e babit përmes leximit të rreshtave të dorëshkruara nga ai, ngeca në një letër tejet të dhimbshme, shkruar nga miku i tij i madh Ali Podrimja.

Në atë letër ai i përcillte dhimbjen e papërshkruar, pasi ishte njohur me lajmin e sëmundjes së pashërueshme të djalit, Lumit. “Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin, të gjej ilaç për jetën e tij”- kështu i shkruan Dritëroit, shpirtërisht i dërrmuar atë 30 tetor të vitit 1979, kur vetë poeti ishte jo më shumë se 37 vjeç”, – ka shkruar Elona në rrjetin e saj social.

Kjo është letra e plotë:

“I dashur Dritëro,

Dëshiroja të jem me Juve, por qe, më gjet kjo e keqe. Megjithë intervenimet e mëdha të mjekëve, fëmija im gjendet në një kotësi të thellë.

Ai nuk kishte ekinokokun, por tumor në brinin e shtatë të anës së majtë. Tmerr, tmerr dhe diçka e paparamenduar . S’di si do ta mashtroj dhe si do t’i tregoj Fitores; s’di si do t’i kaloj ditët me të.

I dashur Dritëro, nëse mundesh dhe nëse ke miq të mirë nga mjekët, të lutem interesohu dhe më lajmëro disi. Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin , të gjej ilaç për jetën e tij.

Këtë fotografi të Lumit ia jep Xhevairit. Më fal, nuk po mundem më të shkruaj. Ju dëshiroj çdo të mirë ty, familjes suaj dhe të gjithë shokëve.

Me dashuri vëllazërore

Ali Podrimja

30.10.79 , Beograd

P.S

30 tetorin do ta mbaj në mend si ditë të rëndë për familjen time.

Aliu”.

Vdekja e djalit të tij e inspiroi poetin që të shkruante edhe një nga poezitë e tij më të ndjera dhe më të bukura “Lum Lumi”, që u botua në vitin 1982.

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).