Një darkë lamtumire për armiqtë, së shpejti ngjitet në Teatrin Kombëtar Eksperimental

“Darka e Lamtumirës” është shfaqja më e fundit, që do të vijë premierë në sallën Moliere të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” më 7, 8 dhe 11 mars.

Me regji nga Kiço Londo, kjo është një vepër e krijuar nga autorët francezë Matthieu Delaporte dhe Alexandre de la Patelliere. Në rolet kryesorë interpretojnë Gazmend Paja, Laura Nezha dhe Visjan Ukçenaj.

Kjo shfaqje depërton në historinë e dyshes Pierre e Clotilde, të cilët përpara se të marrin pjesë në darkën e rradhës që nuk e kanë me qejf të shkojnë, marrin një vendim: Të spastrojnë shoqëritë e konsumuara.

Kështu, ata do të organizojnë një darkë lamtumire, që është një përzierje homazhi e lehtësimi për miqtë që do të dalin nga jeta e tyre. Viktima e parë do të jetë pikërisht miku i tyre prej vitesh, Antoine Royer. Por, midis Pierres që është burracak e i mefshtë dhe Clotildes së paparashikueshme e mikut të çuditshëm, gjërat do të dalin jashtë kontrollit dhe darka nuk do të shkojë siç ishte planifikuar…

Mos e humbisni këtë shfaqje, që tregon një peisazh kaq real dhe të pranishëm në jetët tona.. Që prej 7 marsit, ora 19:00.