New York Times: “Lexuesit në të gjithë botën habiten si nuk po e merr Kadare çmimin Nobel!”

Gazeta e njohur amerikane “New York Times” ka shkruar një artikull ditën e shtunë mbi shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare.

Ka qenë kritikja e letërsisë, Cynthia Haven, e cila ka bërë një analizë të romanit “Vajza në ekzil, Requiem për Linda B”, që në gjuhën shqipe njihet me titullin “E penguara”.

 “Lexuesit e Ismail Kadaresë habiten çdo vit kur komiteti i çmimeve të Nobelit shpallin fituesin. Shkrimtari më i madh shqiptar, fitues i çmimit Man Booker International, Çmimit të Jeruzalemit dhe shumë çmimeve e nderimeve të tjera tashmë është 82 vjeç”, shprehet Haven në shkrimin e saj.

Romani “Vajza në ekzil” botuar në shqip në vitin 2009, mund të rindezë shpresat për një vlerësim tjetër. Ajo çfarë veçon kritikja Haven është gjuha shqipe, e bërë ndërkombëtare përmes librave të këtij shkrimtari, ndërsa ndalet dhe tek jeta e tij nën regjimin komunist.

“E penguara” është një roman ku flitet për nostalgjinë e Tiranës. “Kafe Flora”, kryqëzimet e rrugëve rreth sheshit Skënderbe”, kopshtet e Akademisë, në ish-pallatin mbretëror, gjethet e rëna parkun përballë hotel “Dajtit”.

“Kjo nostalgji epokash të përziera për kryeqytetin e vendit, merr një ngjyrim të skajshëm dramatik kur jepet nëpërmjet vizionit të një vajze që e ka të ndaluar të shkelë në kryeqytet. Kjo është “e penguara”, vajza tetëmbëdhjetë vjeçare, e cila, ashtu si personazhet antike që ngrihen kundër fatit, përpiqet të kapërcejë pengesën e shtetit.

Fundi i saj, është tepër tragjik, përfundon me vetëvrasje. Kryedramaturgu Rudia Stafa, është bartësi kryesor i kësaj ngjarjeje, i cili padjallëzisht i nënshkruan një libër një vajze të panjohur. Shkas për nënshkrimin e këtij libri bëhet shoqja e Lindës, Migena. Migena krijon një marrëdhënie me dramaturgun, të cilën e mban te fshehur nga shoqja e saj e ngushtë. Në të njejtën kohë, ky veprim i Migenës është i pafalshëm, një tradhti ndaj shoqes së saj , por edhe fillimi i problemeve të mëdha për Rudianin. Rudiani thërritet në komitetin e partisë, pa e ditur përse-në.

Atje ai përballet me një sprovë të dyfishtë, ku nga njëra anë mundohej të kuptonte vështirësitë në të cilat ndodhej dhe nga ana tjetër përpiqet te kuptojë të vërtetën që ka të bëjë me Linda B. Kapërcimi i zonave të rrezikshme, është një kapërcim i ankthshëm e tronditës por dhe hulumtues e ndërgjegjës. Në këtë mënyrë, ai arrin të kuptojë shumë gjëra rreth fatit të tij dhe fatit të të tjerëve. Vetëvrasja e Lindës ka motive konkrete, por dhe të panjohura. Duke mbyllur jetën tragjikisht, Linda na jep të kuptojmë iluzionin jetësor që tingëllon si një metaforë e zezë ekzistenciale. Figura e Lindës është një realitet i zymtë e rrënqethës. Ajo është një qenie njerëzore, por pa të drejta jetësore.

Fati tragjik i Lindës, lidhur me dramën e Rudianit është një gërshetim tepër i ndërlikuar, një dramë me thelb të dyfishtë, një rrëshqitje e padukshme nga rrafshi i zhvillimit të gjallëruar në përzierje të gjërave me prejardhje të kundërt. Kjo vepër merr përmasa të gjera dramatike në brendinë e vet, si një strukturë që ngrihet mbi vetë zhanrin e dramës artistike dhe mbi vetë dramën reale që zhvillohet para syve të njeriut gjatë regjimit totalitar.

Sipas Kadaresë “Libri flet për një njeri të penguar. Zakonisht në traditën e letërsisë botërore pengesën e krijon fati, këtu është përshkruar një pengesë e një tipi të ri më të vonshëm se fati, pengesa e shtetit. I kushtohet të gjithë vajzave shqiptare që kanë pësuar internimin dhe jo një emri, apo një tjetri. Vajzat shqiptare kanë thithur brengën shqiptare”. Ky libër ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare që pas përkthimit të tij në gjuhën angleze”.