Art & Kulturë

Në ‘Metrofest 3’, vijnë për herë të parë 4 komedi të viteve 1920-’30

Sot në mbrëmje nis në teatrin Metropol edicioni i tretë i Festivalit Metrofest i cili do sjellë për publikun katër komedi shqiptare. Janë vepra të shkruara gjatë viteve ’20-’30, që shohin dritën e skenës për herë të parë gjatë muajit tetor tek Teatri Metropol.

Edicioni i tretë i festivalit u çel dje me komedinë satrike “Kolltuku” me regji nga Sonila Kapidani. Edicioni i tretë i Metrofest do shoqëroj publikun gjatë këtij muaji dhe me komedi të tjera si “Sot tetë ditë”, me regji nga Elona Hyseni e cila bën fjalë për një djalë dhe një vajzë të dashuruar, të cilët janë në mes të një dileme. A duhet të fitojë dashuria e tyre për njëri-tjetrin apo mblesëria e përcaktuar nga familjet e tyre? Po sikur dashuria dhe mblesëria ta kishin syrin në të njëjtin vend?

“Karagjozi” është një tjetër komedi e shkruar nga Skënder Guri, me regji nga Rexhina Mollaymeri, e cila ka premierë javën e tretë të muajit tetor. Tinger Beu feston ditëlindjen e vajzës dhe vendos të sjellë në fshat kafshë ekzotike nga xhunglat e largëta. Beu ngarkon karagjozin e fshatit që t’ja zbutë kafshët nëpër kafaze përpara se të habisë dynjanë me shfaqjen e tyre. Por karagjozi dembel dhe qejfli i ther kafshët për t’i ngrënë.

“NjëMi në xhep” është komedia e radhës e autorit Hivzi Sulejmani me regji nga Aldi Hysotoci. Komedia me tre akte bën fjalë për Skercon, një nëpunës shtetëror, që ka aspirata për t’u bërë ministër. Në fund të fundit, pse të mos bëhet? Edhe gruaja e tij është dakord që ai e meriton. Ditët e Skercos janë të ngarkuara me hallet e këtij populli që nuk kënaqet kurrë dhe s’ta di as për faleminderit. Ndërkohë që ëndrrat për përfitime të reja vazhdojnë, portieri i sjell Skercos vendim nga lart.

Përpos komedive pjesë e “Metrofest 3” është edhe organizimi mbrëmjes poetike kushtuar krijimtarisë së Lasgush Poradecit me titull “Ndrit vash’ e kulluar, në flakë e pushtuar” dhe koncerti “Imazhi Jazz i Gjon Milit”.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).