Art & Kulturë

“Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë” nga Enkelejd Lamaj

Çdo 8 vjet historitë e frikshëme përsëriten.

Pas përmbledhjeve “Fytyra tjetër e natës” (2003) dhe “Libri i bardhë” (2011),vjen kjo përmbledhje e re me tregime, që përmes fantastikes, misterit dhe tmerrit, na çon në përhumbjen të reja, të panjohura dhe të frikshme, brenda një realiteti të ndërtuar buzë ankthesh, ku marrin formë turbullimet, impulset dhe çmenduritë që popullojnë botën brenda dhe jashtë secilit prej nesh. Një masë e panjohur, e aftë për gllabëruar jetë, një guaskë e mllkuar që ndjell vdekje, qenie të pabesueshme dhe shpirtra të grisur nga mizori të egra, që enden nëpër humnera absurde pa rrugëdalje, por edhe atmosfera të qeta, që papritmas shpërthejnë, duke na vënë para asaj forme të vecantë të tmerrit, që vetëm e pakuptueshmja mund ta ngjallë. Tregim pas tregimi, ndërsa frika rrjedh para syve në forma të paimagjinuara, do ta gjejmë veten në një dimension marramendës, krejt pezull në një tension të vazhdueshëm midis dëshirës për të gjetur kurajë në errësirë dhe kthyer faqen tjetër dhe dëshirës për të vrapuar dhe dalë në dritë.

A thua se në dritë, gjërat shkojnë më mirë!

Enkelejd Lamaj ka lindur më 20 nëntor 1978 në Lushnjë. Pasioni pë të lexuar dhe shkruar e ka gjetur qysh në fëmijëri. Letërsia thriller dhe ajo e frikshme janë përbërësit kryesor të krijimeve të tij. Në vitin 2003 prezantohet për herë të parë me një përmbledhje me tregime horror të titulluar “Fytyra tjetër e natës”, duke u bërë kështu i pari shkrimtar i këtij zhanri në Shqipëri. Krijimet e tij janë përfshirë në botime të ndryshme letrare, si “Tregimet e makthit”,  “Mehr  Licht”, “Haemus Plus”, “Obelisk” dhe në Itali “Il mare si lasciava attraversare”. Aktualisht jeton dhe punon në Tiranë, ku krahas ushtrimit të rofesionit të juristit, vazhdon edhe të shkruajë.

Libri nga Botimet Dudaj.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).