“Natën ma” drama fituese e çmimit Pulitzier, ngjitet në skenën e Teatrit Metropol

Nga autorja Marsha Norman, shfaqja “Natën ma” rikthen Ema Andrean si regjisore, që do të ngjitet në sallën e Teatrit Metropol më 20 prill, e premte.

Si do ndihej një nënë nëse fëmija i thotë qartë, ftohtë, vendosur, me bindje dhe pa emocion që mbrëmja që po kalojnë bashkë, është mbrëmja e fundit? Që kur të thotë natën e mirë, do hyjë në dhomën e vet dhe do vrasë veten?

Vepra tregon fatin e një nëne, Telma 50 vjeçe dhe bijës së saj Xhesit, 30 vjeçe. Pjesa nis me rrëfimin e Xhesit, e cila duhet t’i thojë së ëmës që në mëngjes do të vdesë. Xhesi është një grua e divorcuar që jeton me mamanë e saj. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet, ndaj ajo ndjehet e humbur, ku vuan njëkohësisht nga depresioni kronik.

Thelma është nëna e saj, e cila duhet të përballojë depresionin e së bijës. Një vepër e fortë emocionale, që do të vijë nën konceptin ndryshe të Andreas, e cila njihet për zgjedhjen ndaj veprave të forta.

Në role kryesore interpretojnë aktoret Ilire Vinca dhe Egla Ceno. Eshtë hera e parë që kjo vepër ngjitet në skenën e një teatri në Tiranë, ndërsa më parë është vënë në skenën e Prishtinës. E shkruar nga skenaristja amerikane Marsha Norman më 1983, kjo dramë ka fituar Pulitzier dhe është nominuar për çmime të rëndësishme.

Ajo do të vazhdojë të shfaqet prej datave 20, 21, 22, 25, 26, 27, 28, 29 Prill dhe 2, 3, 4, 5, 6 Maj.