Muzeu i Bankës së Shqipërisë prezanton objekte unikale mbi këmbimin paramonetar

Koleksioni i Muzeut të Bankës së Shqipërisë, prezanton objekte unikale dhe mbresëlënëse, si 4 sëpata bronzi, pjesë e Thesarit të Torovicës, të cilat i përkasin shekullit të X p.e.s dhe dëshmojnë mbi këmbimin paramonetar në territoret historike të vendit, por edhe thesare të tjera monedhash antike.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, Banka e Shqipërisë sjell në vëmendje të publikut se, muzeu i saj është konceptuar si një ndërthurje midis muzeales dhe didaktikes, midis të prekshmes dhe virtuales, midis prehistorikes dhe teknologjisë moderne, Muzeu i Bankës së Shqipërisë synon të informojë publikun mbi të gjitha aspektet e parasë, si dhe fijet e dukshme dhe të padukshme me të cilat ajo ndikon, mbi të gjitha, jetën tonë të përditshme.

Në katin e parë të tij, ekspozita e përhershme prezanton koleksione të monedhave dhe kartëmonedhave, që kanë qarkulluar në territoret e vendit tonë në këta dy mijë vjet. Ato janë pjesë e koleksionit numizmatik të Bankës së Shqipërisë dhe janë përzgjedhur e studiuar me një kujdes të veçantë përmes një bashkëpunimi të gjatë me arkeologë, numizmatë, historianë e etnografë të mirënjohur të vendit.
Kati i dytë i Muzeut prezanton historinë e institucionit të bankës qendrore në Shqipëri, rolin e saj në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe garantimin e stabilitetit financiar të vendit, funksionet kushtetuese për hartimin dhe zbatimin e politikës monetare, për emetimin e parasë, për administrimin e rezervës valutore, për ofrimin e sistemeve të pagesave, e kështu me radhë. Me një fokus të veçantë për edukimin financiar të publikut, Muzeu vjen i pajisur me hapësira edukative me informacion dedikuar fëmijëve dhe të rinjve.