Marshimi i përvitshëm në Tarabosh, ja kur do të zhvillohet

Për të 7 vit rradhazi, marshimi për në Tarabosh është një ecje deri në malin e Taraboshit, e cila organizohet nga Klubi “Taraboshi Shkodër” dhe ferma eko-sociale.

Ky mal ofron një pamje të mrekullueshme nga lart, të lumenjve Buna, Kiri dhe Drini. Po ashtu, mund të dallohet prej andej edhe bregdeti i Velipojës, liqeni i Shkodrës, majat e Maranaj dhe të Cukalit, Malësia e Madhe, Mali i Zi dhe shumë atraksione të tjera natyrore.

Më datën 12 janar, të gjithë personat që vijnë për këtë marshim, mund të akomodohen nëpër çadra ose në dhomat e fermës. Në këtë ditë, do të mbahet edhe një ekspozitë fotografike me titullin “6 Vite Ngjitje Në Tarabosh”.

Në 13 janar, në orën 08:00 bëhet grumbullimi i pjesmarrësve në fshatin Zogaj të Shkodrës dhe në 08:30, do të bëhet nisja për në kreshtën e malit të Taraboshit. Pranë antenave të malit do të organizohen lojra, lotari dhe do të ketë ushqime të ndryshme.

Më pas, destinacioni që do të vizitohet gjatë zbritjes është ferma eko-sociale. Për të marrë pjesë në këtë marshim duhet të ofroni një kontribut prej 140 lekësh ose 1 euro.