Art & Kulturë

Libri i BESART VARFIT “NE”, shokut tone te rinise.

MALL

Pa asnjë dyshim, po të mos ish për të, do të kish humbur si gjithë lajmet e tjera, prej atyre që duan të shesin diçka, që s’iu mbaron këmbëngulja dhe përsëritja, do ish fshirë sapo dëgjova fjalën e parë. Dorën m’a mbajti një zë gruaje, kërkesa për të bashkëbiseduar për diç të rëndësishme, pastaj … i rashë numrit.

Mbiemrin Varfi e kisha dëgjuar më parë, ime gjyshe kish gjak himariot nga nëna dhe Varfajt dilnin diku kushërinj, por dhe një shoku im i vjetër, nga shkolla Partizani, me të cilin luaja basketboll. E mbaja mend, me të gjatë dhe me disa vite të mira mbi mua, kockë madh, (në mendjen time e thërrisja Katalan, nga një ilustrim i Legjendave të Moçme Shqipëtare, me duar e noçka si shkëmbij), me një shpirt të butë e të urtë, fjalëpakë, si ai. Kisha dëgjuar se e kishin “dënuar”, në kohën kur jetoja ne Spital dhe isha ndarë thuajse fare nga ajo botë njerëzish që ecnin, flisnin e silleshin në bulevard, grykëderdhja e lajmeve të vërteta. Kish vdekur 1993 papritur!

Dorëshkrimin e lexova nga fotografitë e mara nga ato faqe të zberdhura fletoresh me një vije të holle qielli, me ndjesinë e ditëve të nxehta të verës, ku e kaltërta humbet e thyer mes rrezeve të diellit. Po vapë, vapë kujtimesh, në çdo rresht mendoja dhe rimendoja, se të gjitha këto i kam jetuar dhe unë, ato dashuri të ngecura në shikime, kordele, të cilat era nuk mundi ti shkulë, ishin çuditërisht tek të gjithë ne, brezi i humbur. Ish koha e tillë, rrethuar me bunkerë, a ndoshta pamundësitë janë pamundësi në çdo kohë e vend. Por ç’gjeta në faqet e këtij libri, është se dashuria nuk njeh kohë, as flijime në binomin e përçudnuar dashuri-vdekje, Troja u dogj për një të tillë, Akili i paprekshëm u vra i prekur, ujku për ujkojnjën, Mantis për Mantisen, ku dhimbja e të gjithëve behet një a ndoshta në vetminë me të thellë kafkiane, dashurinë pakushte. Të gjitha në një metamorfose psikologjike dite pas dite, si dritëhije të lehta që dielli i sjell çdo stine. Ndjesitë preken dhe s’ma priste mendja kurrë, qe ai t’i kish shprehur siç i jetoi, pa bujë, në heshtje të plotë, të pinte helmin e tij.

Miku im, të mendoj, ty, si shumë e shumë të tjerë, ushtarë të panjohur, që nuk u mbytën në Gulagët e kohës proletare, por veten vranë të tërë, pjesë pas pjese, teë mbijetuar ose jo, të cilët me stoizmin e tyre u ngritën, mbi veten, mbi gjithçka, vetëm të mos shkelnin mbi dashurinë e tyre.

Ky libër u be i mundur nga shokët e tij dhe pa dyshim, jo pa ndihmën e çmuar të zotit Ilir Adili, dhe Institutit Financiar AK-Invest, pa të cilin nuk do të qe i mundur.
Libri ia vlen te blihet dhe te rilexohet per mesazhin dhe shpirtin e tij.

“Askush s’mund të bëhet i vetëdijshem për thelbin e një qenie tjetër njerëzore nëse nuk e dashuron atë.” Viktor Frankl

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).