Art & Kulturë

Leximtari, një himn për dijen dhe dashurinë. Nga Flogerta Krypi

“…Ndodh që kujtimet të mos i qëndrojnë besnike lumturisë, nëse fundi është i dhimbshëm? Ngaqë lumturia ekziston vetëm nëse zgjat vetëm në përjetësi? Sepse me dhimbje mund të mbarojë vetëm një histori që ka qenë gjithmonë e dhimbshme, një dhimbje e pavetëdijshme dhe e panjohur? Po çfarë është në të vërtetë një dhimbje e tillë?”.

“Mora përsipër të gjithë fajin. Pranova gabime që nuk i kisha bërë, qëllime që nuk i kisha pasur. Çdo herë që ajo bëhej e ftohtë dhe e vëshitirë, i kërkoja të bëhej sërisht e mirë me mua, të më falte dhe të më donte. Ndonjëherë mendoja se ajo lëndonte veten kur sillej ftohtë dhe bëhej e ngurtë. Dukej sikur ajo që kërkonte ishte ngrohtësia e kërkesave të mia për falje, kundërshtinë dhe përgjërimet. Ndonjëherë mendoja se ajo tallej me mua, por gjithsesi, nuk kisha ç’të bëja tjetër”

Mjafton të lexosh këto dy fragmente nga ky roman për të kuptuar sesa i fuqishëm është shkruar ai dhe çfarë përfaqëson në letërsinë bashkohore gjermane. Romani “Leximtari” shkruar nga shkrimtari gjerman Bernar Schlink është një libër që në qendër mban historinë e dashurisë së fuqishme mes një djaloshi 15 – vjeçar, Mikael Berg dhe Hanës, një grua 36- vjeçare. Lidhja e tyre e dashurisë është e fuqishme dhe e jetuar gjer në qelizën më të fshehur në trup, por jeta e tyre kalon në shumë perpeci të lidhur veç me një sekret që Hana mbart.

Historia merr jetë pas Lufts së Dytë Botërore, duke trajtuar jetën e një gruaje të tërhequr që ka patur një rol në kampet e përqëndrimit gjerman. Vitet ecin bashkë me të dy personazhet dhe aty tregon një dashuri e pafundme e Hanës për dijen. Ajo bëhet shkas pse Mikael, fillon studimet, pasi në takimin e tyre të parë ai është një nxënës me nota shumë të ulta. Dashuria e tyre lind tek ai i lexon Hanës romane dhe kjo mardhënie Hana – leximet – Mikael krijojnë një trinon dashuria aq të fortë, saqë askush nuk mund ta vrasë , madje as mëshira apo keqardhja.

Ndonëse historia e tyre nis në një moshë kur Mikaeli nuk është në gjendje të kuptojë se çfarë ndodh me gruan që ai dashuron, pas zhdukjes së saj të papritur, ngjarja zhvendoset në kohë, kur tashmë ky djalosh është student dhe përballet me dashurinë e jetës së tij në një sallë gjygji mes të akuzuarve për krime ndaj çifutëve në kampet e përqendrimit.

Tek ky gjygj merr jetë dhe hedh shumë faje mbi shpinën e Hanës, ajo refuzon të mbrohet. Mikael kupton se gruaja mban një sekret, të cilin e konsideron edhe më të turpshëm: ajo është analfabete, një fakt që ka ndikuar veprimet e saj në të kaluarën dhe në të tashmen.

Ky çift sa i çuditshëm aq dhe i adhurueshëm mua më mësoi një të vërtetë të madhe. Mëshira e vret dashurinë. Kur keqardhja lind mes një çifti, atëherë merr fund dhe dashuria, respekti dhe besimi. Hana e dëshmon këtë gjë dhe me jetën e saj, ndonëse shumë mund ta konsiderojnë atë një grua krenare, unë e kam parë gjithmonë si një grua që do të duhet, jo të mëshirohet. Një libër i fortë, emocional, romantik dhe dominant. Duhet ta kesh patjetër në bibliotekë. – Botimet Dudaj

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).