Ky detaj në veshjet e VIP-ave i bashkoi të gjithë drejt një nisme

A e vutë re flamurin amerikan në ngjyrë portokalle që kishin vendosur disa nga të famshmit që morën pjesë në ceremoninë e çmimeve Oscar?

Kjo shenjë është një vazhdimësi e formave të ndryshme që pjesëmarrësit kanë përdorur për të dhënë mesazhe të forta për shoqërinë.

Kështu, në ndarjen e çmimeve BAFTA dhe Golden Globes, VIP-at përdorën kodin e veshjes me të zeza për të mbështetur lëvizjen Time’s Up, e cila flet për barazinë gjinore në kushtet e punës. Po ashtu, trëndafilat e bardhë u përdorën në Grammys dhe Brits Awards, që simbolizonin ngritjen e zërit kundër abuzimeve seksuale në industrinë e filmit.

Domethënia e flamurit amerikan në ngjyrë portokalli është një mesazh i fortë për kontrollin e armëve, që ka rrjedhur prej ndodhive fatkeqe të dy javëve më parë, ku 17 adoleshentë mbetën të vdekur nga të shtënat në një shkollë të mesme në Florida.

Kjo karficë e vogël ka bashkuar njerëzit, ku shumë të famshëm kanë pranuar të bëhen pjesën e lëvizjes për të përforcuar kontrollin e armëve, sidomos pranë institucioneve arsimore. Ata e kanë veshur atë në mbrëmjen më të madhe të industrisë së filmit për të përhapur zërin dhe ideologjinë pas saj e që të arrihet një mbështetje më e madhe nga amerikanët.