Art & Kulturë

Kuratorja dhe shkrimtarja Marina Fokidis, bashkëbisedimin me temë “Kurimi dhe kleçkat e tij”

Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel fton në mjedisin e saj kuratoren dhe shkrimtaren Marina Fokidis për bashkëbisedimin me temë “Kurimi dhe kleçkat e tij”, i cili do të zhvillohet më datë 6 mars 2020, në orën 18:00. Gjatë takimit, ajo do të përqendrohet te veprimtaria e pasqyruar në revistën “South as a State of Mind”, si dhe te roli i vet gjatë përfshirjes në “Dokumenta 14”.

“Në dhjetëvjeçarin e fundit, pika qendrore e së ashtuquajturës botë e artit është zhvendosur nga qendrat kryesore në një mori bashkësish artistike në mbarë globin. Ndoshta, fuqia kulturore është ende e përqendruar në disa qytete dhe rajone më shumë sesa në disa të tjera, por lidhjet midis të ashtuquajturave “rrethina” kanë filluar t’i japin formë një gjeografie ndryshe të “artit bashkëkohor”.

Si mund të shkojmë edhe më larg, përtej varësisë kulturore midis “qendrës” dhe “rrethinave”? Si mund t’i zgjidhim asimetritë e fuqisë që lindin nga marrëdhënie të tilla? A është e mundur të çqendërzohet plotësisht sistemi?

Ndoshta, duke vënë në pyetje vazhdimisht pikëpamjet, këndvështrimin dhe orientimin, ne mund të arrijmë në formimin e një fjalori të ri që përfshin të papritura dhe rreziqe, por gjithashtu premton forma të reja solidariteti dhe ndërlidhjeje përtej marrëdhënies hegjemonike të “mesit” dhe “kufirit”. Në fund të fundit, pozicionimi varet nga pika e zhdukjes së çështjes në fjalë.”

Rreth kuratores:

*Marina Fokidis është kuratore dhe shkrimtare me qëndrim në Athinë (Greqi). Ajo është themeluese dhe drejtuese artistike e platformës eksperimentale Kunsthalle Athena. Nga viti 2000 deri në vitin 2008, ajo ka qenë drejtoreshë e organizatës jofitimprurëse kushtuar përhapjes së artit pamor bashkëkohor në Greqi dhe në nivel ndërkombëtar, Oxymoron. Ajo ka qenë komisionere dhe kuratore e pavijonit grek në Bienalen e 51-të të Venecias (2003), si dhe një ndër kuratoret e Bienales së parë të Tiranës (2001).

Ka kuruar një sërë ekspozitash, si për shembull: Historia e saj (e tij), një ekspozitë e videove kryesore të dhjetëvjeçarëve të fundit, që u është bashkuar koleksioneve të përhershme historike, në Muzeun e Artit Cycladic, në Athinë (2007); Anathena, një ekspozitë e mbajtur në fondacionin DESTE, me qendër në skenën nëntokësore athinase (2006) etj., duke përmendur gjithashtu kurimin për: Rregulla të rastësishme – kanal i artistëve të përzgjedhur nga Youtube, i paraqitur drejtpërdrejt në internet dhe i shfaqur në Pulse Art Fair (New York, 2009); Midsummer Nights Dream (Ëndrra e një nate vere), një shfaqje tremujore – pjesë e Remap 2 (program paralel me Bienalen e Athinës 2009). Ka shkruar ese për koleksione të ndryshme dhe për shumë revista ndërkombëtare arti, si dhe është kryeredaktore e revistës së rëndësishme kulturore për shtyp në Greqi, LIFO.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).