Kineastët ‘protestojnë’ ndaj ndryshimeve në ligjin për kinematografinë

Projektligji i propozuar nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10352, datë 18.11.2010,Për artin dhe kulturën”, si dhe projektvendimi i Këshillit të Ministrave “Për riorganizimin e shkollës së lartë jopublike “Marubi…”, është kundërshtuar nga Komuniteti i Kineastëve shqiptarë.

Ditën e djeshme është mbledhur anëtarësia e gjashtë shoqatave kinematografike shqiptare, të cilët nëpërmjet një deklarate, kundërshtojnë në themel iniciativat e ndërmarra, pasi konstatojnë asgjësimin e parimeve bazë mbi të cilat funksionon kinematografia shqiptare.

“Ligji “Për kinematografinë”, i hartuar dhe miratuar bazuar në eksperiencat më të mira evropiane në vitin 1996, ka krijuar skemën më demokratike dhe bashkëkohore të prodhimit të veprave kinematografike, ndaj vlerësohet e papranueshme që sot, në vitin 2018 të bëhen hapa mbrapa dhe të preket themeli i mekanizmit të funksionimit të kinematografisë shqiptare”,– thuhet në deklaratën e tyre.

Sipas tyre, ky projektvendim minimizon funksionimin e konkurrimit të lirë dhe lirshmërinë në përzgjedhjen e projekteve, një format që gëzon mbështetjen nga të gjithë kineastët. Ata kanë shprehur indinjatën mbi tentativat e vazhdueshme për të tjetërsuar formën juridike dhe buxhetin e QKK në favor të interesave dhe të individëve të caktuar.