Kek me luleshtrydhe

Përbërësit

500 gr luleshtrydhe
3 kokrra vezë
200 gr sheqer
125 ml kos
50 gr gjalpë
250 gr miell
1 lugë gjelle lëng limoni
10 gr pluhur fryrje për ëmbëlsira
pak vanilje
lëkurë limoni
sheqer pluhur

Përgatitja

Luleshtrydhet i pastrojmë nga bishti dhe i lajmë në ujë të rrjedhshëm. Një pjesë i presim në formë gjatësore për ti vendosur sipër kekut dhe i spërkatim me lëng limoni dhe pak sheqer. Pjesën tjetër e presim kubik për ti hedhur në brumë.

Në një enë qelqi, rrahim me rrahësin elektrik të verdhat e vezëve së bashku me sheqerin, për gati 10 minuta. Shtojmë më pas kosin, lëkurë limoni, lëngun e limonit dhe gjalpin e shkrirë.

Në një enë tjetër rrahim të bardhat e vezëve sa të bëhen marengë dhe për momentin në frigorifer.

Tek të verdhat e vezëve shtojmë miellin të përzier me pluhurin për ëmbëlsira dhe vaniljen. Masën për kek me luleshtrydhe e trazojmë me anë të një shpatulle. Hedhim në të edhe të bardhat e vezëve dhe i trazojmë me kujdes nga poshtë lartë. Sapo të jetë formuar një masë homogjene, hedhim luleshtrydhet e prera kubik, të spërkatura me pak miell.

I trazojmë dhe e hedhim brumin në tavën e lyer me pak gjalpë. Me përmasat e dhëna për këtë kek me luleshtrydhe duhet një tavë me diametër 24 cm. Sipër radhitim luleshtrydhet që premë në formë gjatësore.

Tavën për kek e futim në furrë të para ngrohur në 180°C për 35 minuta. Pasi keku me luleshtrydhe piqet e lemë në furrë të fikur edhe 10 minuta.