Identifikoi figurën femërore në shoqërinë maskiliste shqiptare, një seminar mbi Musine Kokalarin

 

Më 30 mars vjen takimi i rradhës i seminarit “Përthyerje Antropologjike”, që zhvillohet në auditoriumin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, në orën 17:00.

Këtë rradhë do të flitet për figurën e Musine Kokalarit, shkrimtarja e parë shqiptare, jeta dhe vepra e së cilës do të vijë nën analizën dhe interpretimin e Prof. Persida Asllani, studiuese e saj dhe e letërsisë moderne shqipe.

Musina Kokalari është e para shkrimtare femër, e cila mundësoi kështu vërshimin e ligjërimeve femërore në ‘gjuhën e mashkullt shqype’.

Sipas Asllanit, në prozën e Musines, që është një pikëtakim sugjestionues mes shkrimit dhe oralitetit, qasjes etno-antropologjike dhe përsiatjes ekzistenciale, joshjes dialektore e elegancës së idiolektit, u përfituan si kurrë më parë identitetet ligjërimore femërore, si një përvojë e re e shkrimit shqip, një dukuri e re, e pahetuar më parë as në prozatorët e mirënjohur të epokës, siç ishin Koliqi, Kuteli, Spasse, Migjeni e Stërmilli.

Image result for Musine Kokalari

Albanizma femërore e Musine Kokalarit tharmon një vetëdije të re, të pandashme nga ajo shkrimore, vetëdijen e qëndresës. Kjo qëndresë është “e patrajtueshmja” që i dikton si fashizmi ashtu edhe komunizmi.

Fotografia e saj e fundit, teksa gjendet përballë jurisë së gjyqit ushtarak, në moshën 28 vjeçare, është shëmbëlltyra e qenies autentike përballë “banalitetit të së keqes”.

Prof. Dr. Persida Asllani është prej shtatorit të vitit 2014, drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Prej vitit 1995 ajo ka qenë pedagoge e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Është doktoruar mbi veprën e Roland Barthes në Universitetin Paris 7 – Denis Diderot, në drejtimin letrar-kritik “Histori dhe Semiologji e Tekstit dhe Imazhit”.