Herbert dhe izolimi i tij ndaj botës që e rrethon, në Akademinë Marubi

“Herbert” është një film gjerman i vitit 2015, që do të shfaqet në Akademinë e Filmit “Marubi” të enjten më 15 mars.

Ky film trajton historinë e një ish-boksieri, i cili edhe pas përfundimit të karrierës sportive, vazhdon të luftojë fuqishëm me jetën e tij. Pavarësisht se flet mbi jetën e një boksieri, filmi është përtej këtij zhanri.

Në këtë film shpaloset historia e një burri që është veçuar nga shoqëria. Kurdoherë i gatshëm për dhunë dhe vazhdimisht i palodhur e në lëvizje, Herbert zbulon papritur se ai vuan nga ALS-ja, skleroza laterale amitrofike, një çrregullim i pashërueshëm i sistemit nervor motorik, që përparon në mënyrë të pandalshme.

Një diagnozë që i shkatërron jetën, ai vendos që të rregullojë marrëdhëniet me njerëzit përreth tij, veçanërisht me të dashurën që e mban larg dhe me vajzën e tij, të cilën ka vite pa e parë.

Gjatë skenave të fundit, kur Herberti i afrohet vdekjes së tij, pamjet filmike nisin të bëhen më të çelura, më miqësore dhe më të ngadalta. Portretizimi i rolit kryesor i është besuar Peter Kurth, i cili për këtë rol është vlerësuar me çmimin gjerman të filmit në vitin 2016

Mos e humbisni këtë dramë njerëzore, të enjten prej orës 19:00 deri më 21:00, tek Akademia e Filmit “Marubi”.

Trailer: