France 3: Shqipëria, një destinacion i panjohur

“Shqipëria, një prej vendeve më pak të njohur në periferi të Mesdheut, hapet ndaj turizmit. Avantazhet e saj: plazhe ende të virgjra, një vend i mbushur plot histori dhe çmime të lira”, kështu e prezanton vendin tonë televizioni francez “France 3” në një dokumentar të shkurtër ku i bën thirrje turistëve francezë që të vijnë të vizitojnë Shqipërinë.

Rreth 2 orë e 30 minuta larg nga Parisi, një vend pak i njohur, i madh sa Belgjika, Shqipëria, prej shumë kohësh e mbyllur me misteret e saj, prej disa vitesh i është hapur për turizmin. Fqinjët italianë apo grekë e njohin shumë mirë, ndërsa francezët ende shumë pak.

Denise, 85 vjeç dhe shoqja e saj Jeanne, e zgjodhën si destinacion për një javë, pasi kishin eksploruar gjithë Mesdheun për shumë vite.

“Kishim përshtypjen se ky ishte çasti, që çmimet do të rriteshin ndërkohë që njerëzit do të njihnin më shumë Shqipërinë”, thotë Denise Million. Por një prej surprizave për dy pensionistet ishte që mund të diskutonin me shqiptarët, sepse vendi është shumë frankofil.

Peizazhe të mrekullueshme

Berenger e ka pëlqyer aq shumë Shqipërinë sa që ka vendosur të qëndrojë dhe po bën gati 10 vite. Në fillim ai erdhi per të hapur një uzinë. Më pas, ai ngriti një agjenci udhëtimesh për të sjellë francezë që e imagjinojnë si një vend të mbytur nga mafja.

“Shqipëria ka një reputacion. Shqipëria është ajo që është. Në të kundërt, Shqipërinë e do kur jeton këtu”, garanton ai.

Një vend ende i virgjër, peizazhe të mrekullueshme dhe qytete që ndodhen në trashëgiminë botërore të UNESCO-s.