Foto/ Prezantohet projekti i rindërtimit për Kombinatin

Qeveria prezantoi këtë të martë planin e rindërtimit të Kombinatit, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit në Tiranë. Një projekt që pritet ta kthejë këtë zonë në një pol të ri zhvillimi ekonomik, social e kulturor. Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm gjatë prezantimit të projektit dhe tha se të gjithë ata që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti do të sistemohen. Sa i përket rindërtimit të Kombinatit, kreu i qeverisë e konsideroi një pikë referimi jo vetëm për zonën rrotull, por një destinacion ku mund të kryhen aktivitete të ndryshme.

“Na jep mundësinë të zgjerojmë këndvështrimin mbi dy qytetet më të mëdha të Shqipërisë, Tirana dhe Durrësi duke krijuar pika të reja referimi. Jo thjesht Kombinat për veten e vet, por që është destinacion për jetën e natës, për aktivitete të ndryshme, por edhe i turistëve. Synime që i përkasin vizionit “Shqipëria 2030””, tha Rama i cili shtoi se shumë shpejt, do të fillojë ndërtimi i shtëpive të para individuale në shumë zona.

Kryeministri siguroi se qeveria po punon pa pushim. Përgjigje u ktheu ndjekësve në Facebook, për të cilët tha që edhe pse nuk po i sheh çfarë po shkruajnë e di se çfarë mendimi kanë për 3D. Por ky është dallimi sipas Ramës mes kësaj qeverie dhe asaj të shkuarës, pasi tha se “i japim kohën e duhur konceptimit dhe projektimit”.

“Nga ana tjetër nuk ka asnjë rrugë, përveçse të punojmë papushim dhe ne nuk po rrimë asnjë ditë, asnjë natë, por sidoqoftë duhet durim dhe me siguri më shpejt se vonë, të gjitha këto që janë pamje mbresëlënëse, por në 3D kthehen në realitet. Këtë e kam për shumë miq në faqen time në Facebook që zëre se po i lexoj tani që na more në qafë me këto 3D, por ato janë pjesë e këtyre projekteve. Çfarëdo qoftë që ndërtojmë nuk fillon në momentin kur hapim themelet, po kur e shohim në ëndërr, pastaj ulemi dhe e konceptojmë, pastaj sigurojmë financimin, pastaj zbatimi i projektit, bëhet gara, nënshkruhet kontrata dhe pastaj shkojmë në territor. Nëse ka gjë themelore që na dallon nga ata para nesh është se i japim kohën e duhur konceptimit dhe projektimit dhe nuk futemi në kantier sikur jemi hordhi ndërtuesish pa leje që nisen dhe pushtojnë tokat e tjera”, tha Rama.

Sipas projektit të prezantuar zona e Kombinatit pritet t’i nënshtrohet një ndryshimi rrënjësor. Atje do të ndërtohen apartamente për familjet e prekura dhe një potencial zhvillimi për akomodimin e mbi 20 mijë banorëve, 4 institucione të reja arsimore dhe 9 pika sociale e kulturore. I emëruar si “KombinArti”, zona do të ketë 5 sheshe publike me shërbime të reja.