FOTO/ Një vit pa Françesk Radin, përurohet busti për këngëtarin e liqenit

Më 3 prill të vitit 2017 u nda nga jeta një prej kantautorëve më të njohur dhe më të dashur të publikut shqiptar, Françesk Radi.

Sot, në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta, është përuruar busti dedikuar artistit në Amfiteatrin e Liqenit Artificial, një vend që ai e deshi shumë, duke u cilësuar shpesh si “Këngëtari i liqenit”.

Miq, të afërm dhe dashamirës të muzikës së tij, u mblodhën për të përkujtuar këngëtarin në ceremonë që u organizua në nder të tij, ku prezent ishin edhe bashkëshortja e Radit, familjarët dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj.

Bashkëshortja e kantautorit, Tefta Radi falenderoi të pranishmit për kujtimin e veprës së Frankos.

“Për mua, për familjen, për të gjithë adhuruesit e Frankos është një kënaqësi e madhe që e lemë mes njerëzve. Ai do të mbahet mend si kantautori i parë shqiptar, si i riu që solli risinë në muzikën shqiptare, që futi modernen, për të cilën nga diktatura u dënua afro tre dekada, iu hoq e drejta e krijimtarisë në fushën e muzikës së lehtë, pa ia shuar kurrë pasionin për muzikën, sepse edhe në Pukë, edhe në Fushë-Arrëz, Frankoja punoi me të njëjtin pasion. Është një kujtim vërtet i bukur, faleminderit Bashkisë së Tiranës, faleminderit z. Veliaj për gatishmërinë. Është një mrekulli”, u shpreh mes emocionesh Tefta Radi.

Tashmë Françesk Radi u bë pjesë e përjetshme e Liqenit Artificial dhe busti i tij mund të vizitohet nga të gjithë adhuruesit e muzikës së tij të pakrahasueshme, që do të vazhdojë të dëgjohet ende nëpër breza.