FOTO/ Ishit tek ekspozita “Vox Machina”? Nëse jo, ja çfarë humbët

Ekspozita “Vox Machina” u çel në ndërtesën e vetme që mirëpret “Art”, ende pa lindur akoma, Turbina.

Vox-machina’ e Sadik Spahisë dhe nën kurimin e Edi Mukës, është një ekspo-instalacion sonor me performancë nga trupa e baletit, që fokusohet në trashëgiminë materiale, konkretisht të rrënojave dhe mbetjeve industriale të fabrikave të mbyllura të para vitit 1990.

Artisti prezantoi një kompleks skulpturash konceptuale me përmasa gjigande të alternuara me lëvizje koreografike moderne nga katër balerinë, nën kurimin e koreografit Gjergj Prevazi dhe në tingujt e kompozuar nga Haig Zaharian në bashkëpunim me artistë të imazhit, lëvizjes, tingullit: Gjergj Prevazi, Hajg Zaharjan, Endri Sina, Ramazan Gurra, Akreoma Saliu, Robert Nuha, Fjorald Doci, Rosella Pelliçiotti, Melissa Becovic. Qëndron e hapur nga data 1-10 nëntor 2017.

“Është një punë e gjatë kërkimore edhe eksperimentale, për të sjellë afër publikut një kumt, që shqetëson shoqërojnë shqiptare sot, për ta sjellë në formë alternative, e cila nuk jep përgjigje por shtron pyetje. Shtron pyetje, që ne ia bëjmë përditë vetvetes, që gjejnë përgjigje, por përgjigjet tona janë afatshkurtra. Ideja e kësaj ekspozite është pikërisht që përpjekja dhe mundi ynë ka shpeshherë afate shumë të përkohshme, që na dëmtojnë në jetën tonë, në udhëtimin tonë të brezave”, ka thënë Spahija, i cili natyrisht që ka marrë në konsideratë një tematikë të caktuar, që ka të bëjë me sjelljen tonë karshi produktit tonë.

Kjo ekspozitë, ose më mirë shfaqje e bukur u hap më 1 nëntor në mjediset e pambaruara të Turbinës.

Për sa i përket Turbinës, edhe pse është ende në ndërtim e sipër, është nga investimet e rëndësishme të Ministrisë së Kulturës, një nga kantieret e vetme me një histori të çuditshme.

Ka nisur “jetën artistike” akoma në ndertim e sipër. E nisi me Mediterranea 18 – Young Artists Biennale, ku artistët shqiptarë e ndërkombëtarë u dashuruan me format e vëllimet e skenës së Turbinës, vazhdoi me forumin Forum Rebirth Tirana / Love Difference – i Mediterranei në idenë e Cittadellarte-Fondazione Pistoletto.

E këto ditë ky kantier hyn në një bashkëjetesë artistike me një koncept nga artisti Sadik Spahija titulluar “Vox Machine” ideuar për këtë skenë , kuruar nga Edi Muka në bashkëpunim me artistë të imazhit, lëvizjes, tingullit.