Fiqiri Kasa: Gati për përurimin e monumentit të Skënderbeut

Fiqiri Kasa, skulptori shqiptar që është në realizim e sipër të monumentit të Skënderbut, në një format tjetër nga ato që jemi mësuar ti shohim deri më tani, ka treguar edhe për periudhën e përurimit të këtij monumenti. Por ai ka treguar edhe për një dëshirë, për realizimin e një monumenti të tillë edhe në Kosovë.

Fiqiri Kasa kishte filluar të krijonte portrete në baltë që kur ishte 10-të vjeçar, duke mos e kuptuar atëherë se pikërisht kjo dëshirë do të ngelej talenti dhe pasioni i tij. Se është i lindur për këtë punë, bindet edhe më shumë pas zhvendosjes së tij nga Seferani i Elbasanit në Tiranë, ku edhe ka ndjekur studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë ku edhe mbaron studimet për skulpturë. Tani, ai një pjesë të punimeve të tij i bazon në elemente të trashëgimisë kulturore.

“Me vlerë më të madhe shpirtërore padyshim është monumenti që jam duke ndërtuar aktualisht, heroi jonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu . Është një kënaqësi, kam marrë shumë falënderime dhe ndihem i privilegjuar që po e ndërtoj unë këtë vepër, shpresoj dhe dëshiroj që edhe në Kosovë të realizoj një vepër kaq të rëndësishme. Në Labinot të Elbasanit ku po ndërtohet Skënderbeu do të realizohen shumë vepra të tjera, ne e nisëm nga Skënderbeu, pikërisht sepse përkon me vitin e Skënderbeut, shpresojmë që nga fillimi i muajit mars të këtij viti të mbaroj”, ka thënë Kasa.