Filmi kosovar “Rreze” konkurron në Festivalin e Kanës

Me regji e skenar nga Lorena Sopi, filmi me metrazh të shkurtër “Rreze”, do të shfaqet në kategorinë Short Film Corner të Festivalit të Filmit në Kanë.

Ai është i vetmi film shqiptar që do të jetë pjesë e këtij programi këtë vit, ku në këtë kategori do të shfaqen më shumë se 70 filma nga vende të ndryshme të botës dhe më shumë se 100 filma të përzgjedhur në seksionin e shkollave më prestigjoze të filmit.

Festivali i Kanës do të zhvillojë edicionin e tij të 71-të prej datave 8 deri më 19 maj, ku nata e parë do të hapet me filmin “Everybody Knows” të regjisorit iranian Asghar Farhadi, e në role kryesore vijnë Penelope Cruz dhe Javier Bardem.

Filmi “Rreze”, anglisht “Ray”, do të shfaqet më 17 maj në Palais G, ora 15:00. Ai trajton një ditë të vetme të shkëputur nga ditari i mrekullueshëm i Rreze Abdullahut, e cila është cilësuar si Ana Frank e Kosovës.

Pikërisht, në ditëlindjen e nëntë, gjatë vitit të luftës 1999, Rreze Avdullahu kishte shkruar Ditarin e Frikës. Atë ditë të shenjuar, ajo nuk kishte pritur dhurata e as festë. Ajo kishte vetëm një dëshirë: Nuk donte të vdiste.

Atë ditë, Rrezja shkon te ushtari serb që bënte roje dhe i thotë: “Unë sot e kam ditëlindjen dhe nuk po due me vdekë! Veç po due me mbetë gjallë…” Ushtari nis e qan. Rrezja befasohet sepse kishte kujtuar se ushtarët nuk qajnë. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, mbi gërmadhat e së kaluarës, Rrezja shfaqet e dëshpruar me botën që nuk është bërë më e mirë… Filmi prej 12.30 minutash me titull ‘Rreze’ /Ray/ është prodhuar nga AS Film Production nga Prishtina.

Vendos një përgjigje

Ju lutemi të vendosni komentin tuaj !
Ju lutemi të vendosni emrin tuaj