Art & Kulturë

Filmi kosovar “Martesa”, premierë në Tiranë

Filmi “Martesa” është i pari produksion me metrazh të gjatë nga regjisorja Blerta Zeqiri, që do të shfaqet premierë për publikun e kryeqytetit më datë 2 shkurt, në kinemanë Cineplexx.

Ky film shtjellon dashurinë nëpërmjet një trekëndëshi, i cili përbëhet nga tri personazhe që vijnë në lojën e aktorëve Adriana Matoshi, Alban Ukaj e Genc Salihu.

Ai pati premierën botërore në Estoni, ku fitoi dy çmime gjatë “Talin Black Nights Film Festival”.  Ndërkohë, “Martesa” u shfaq për herë të parë në Kosovë ditën e djeshme, duke u dhënë premierë për mediat.

Ngjarja vendoset gjatë kohës së luftës në Kosovë, atëherë kur dy të rinj, Bekimi dhe Noli, jetojnë brenda një ndërtese, ku edhe fillojnë të shfaqin shenjat e para të dashurisë për njëri-tjetrin. Por, shumë vite më pas ata do të luftojnë mbi barrierat me të cilat pengohet kjo dashuri.

Bekimin e ndajnë dy javë nga martesa me Anitën, edhe pse për gruan e ardhshme nuk ndjen ndonjë dashuri të madhe. Anita është një vajzë, familja e së cilës është zhdukur gjatë luftës, ndërkohë që familja e Bekimit është e lumtur për martesën e të birit me të. Megjithatë në mëdyshje është pikërisht dhëndri, ndjenjat e të cilit sa vijnë e komplikohen me kthimin nga Franca të Nolit, që tashmë është një muzikant. Dashuria e tij për Nolin vazhdon të mbetet e njëjtë, që në momentin kur ata ishin ndarë.

Ngjarja e filmit shtjellohet në këtë situatë, deri në ditën e martesës së Bekimit me Anitën, të cilët po presin edhe fëmijën e parë. Filmi, përmes ndërtimit të këtyre personazheve, paraqet tendencën e shoqërisë për të mos e pranuar dashurinë mes anëtarëve të komunitetit LGBT, ndërsa ky është filmi i parë në Kosovë që trajton dashurinë mes personave të së njëjtës gjini.

Për këtë film, regjisores Zeqiri i është dashur plot 5 vite planifikim dhe gjatë premierës së tij, ajo ka treguar përpjekjet e saj që të preki me këtë produksion jetën reale sa më shumë të jetë e mundur.
“Shumë herë filmi është tentuar të paraqitet si rrëfim për LGBT, por filmi është një rrëfim dashurie në Kosovën tonë duke u munduar ta bëjmë një pasqyrë sa më reale të jetës këtu”, tha dje regjisorja Zeqiri, ndërsa shtoi se filmi tenton të prekë rrëfimet e të tre personazheve kryesore, pa e penguar rrëfimin që tenton të bartë secili nga ky rol i caktuar në film.

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).