Festivali më i ri Metro Fest, 1-4 nëntor tek Teatri Metropol

MetroFest, është një festival i ri, që organizohet për herë të parë në Teatrin e Metropolit, në sezonin e vjeshtë-dimrit 2017, me temë: Drama Shqipe.

Festivali do të përfshijë shfaqje të vëna në skenë, shfaqje të reja nga arkivi i dramës shqipe që nuk janë vënë asnjëherë në skenë dhe lexime veprash e diskutime, të cilat do të ndahen sipas ditëve në tema të përbashkëta si Komedia; Drama historike dhe Drama dhe Diktatura.

Ky Festival është menduar të nxisë punën e re dhe kërkimin artistik të fuqive krijuese që duan të mbështesin gjallimin e veprave shqiptare dhe takimin e tyre me publikun e gjerë në një frymëmarrje të përbashkët.

Teatri i Metropolit vazhdon të mbështesë objektivin: më shumë qasje në kulturë nga më shumë njerëz, nga të gjithë qytetarët, edhe ata që janë të përjashtuar ose ndihen të përjashtuar nga arsyet e aftësisë financiare, prejardhjes sociale ose prejardhjes kulturore. Veprat që do të vihen në skenë për herë të parë janë: “Loja e Mbasdrekës” nga M.Camaj me regji nga Shkelzen Berisha; “I biri i Begut” nga M.Duci me regji nga Joana Omeraj; “Armiqtë” nga Sh.Gina me regji nga Xhuliano Brisku. Ndërsa paraditeve do të ketë dy lexime: “Foleja Kombëtare” nga Mithat Frashëri dhe “Prangat” nga Halil Laze dhe një Forum Teatër nga S. Kapidani me fragmente nga “Njollat e Murrme” nga M.Jero.

Kalendari i aktiviteteve të MetroFest:

Shfaqje:
Dt. 1 Nëntor / Hapja e Festivalit / Ora 18:30 – Loja e mbasdrekës nga Martin Camaj
Dt. 2 Nëntor / Ora 19:00 – “Rrno për me tregue” nga At Zef Pllumi
Dt. 3 Nëntor / Ora 19:00 – “Armiq” nga Shpëtim Gina
Dt. 4 Nëntor / Ora 19:00 – “I biri i Begut” nga Milo Duçi

Forum Teatër:
Dt. 3 Nëntor / Ora 13:00 – “Njollat e murrme” nga Minush Jero

Lexime:
Dt. 2 Nëntor / Ora 12:30 – “Foleja Kombëtare” nga Lumo Skëndo
Dt. 4 Nëntor / Ora 13:00 – “Prangat” nga Halil Laze