Festival në Tiranë me rastin e Krishtlindjeve/Ja ku zhvillohet

“Krishtlindje në Tiranë” quhet festivali që organizohet prej 3 vitesh tashmë në vigjiljen e festës së Krishtlindjes.

Me producent dhe regjisor Sokol Guga, ky event, që po kthehet në një traditë festash, do të mbahet në sallën e Akademisë së Arteve, në mbrëmjen e 24 dhjetorit.

Diva e ekranit, Silvana Braçe do të rikthehet sërish në skenën e Akademisë, për ta prezantuar këtë koncert për të dytën herë. Po ashtu, do të ketë shumë të ftuar nga fusha të ndryshme të artit, si: Danilo Zeka, primobalerini shqiptar me famë në Greqi, Mihai Traistariu, këngëtari që do të përfaqësojë Rumaninë në Euro Song, Kejsi Tola, baritoni Armando Likaj, grupi All in Band dhe Neritan Liçaj.

Gjithashtu, do të jetë e ftuar speciale në këtë spektakël ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila do të zhvillojë një intervistë live në skenë me moderatoren.

Në festivalin “Krishtlindje në Tiranë” do të kënaqeni duke dëgjuar performimin live të 50 instrumentistëve virtoz, ndaj do të jetë një mbrëmje që nuk duhet ta humbisni!