Fatos Kongoli – Kapitulli i Amerikës

Rreth librit

“Kapitulli i Amerikës” është një kronikë autobiografike, që vjen si vazhdim i një prej librave tashmë të njohur të Kongolit, më i rëndësishmi siç e quan ai vetë, “Iluzione në sirtar”.

Vendin kryesor e zënë  kujtimet e autorit për një periudhë prej afër shtatë vjetësh, kur ai ka jetuar më së shumti në SHBA. Për herë të parë, në këtë libër, na shfaqen portrete shqiptaro-amerikanësh  të fushës së letrave, miq e të njohur të dikurshëm të autorit, ndër ta edhe figura të shquara. Si dhe organizimet, veprimtaritë e tyre, në Nju-Jork apo Detroit, mjediset mikpritëse të një bote “të shpërngulur” shqiptare etj.

Për herë të parë, gjithashtu, në këtë libër Kongoli përshkruan hollësisht peripecitë e pabesueshme, me të cilat  u përball pas një sëmundjeje të rëndë. Dhe rikthimin në jetë përmes një aventure të re, siç e quan ai romanin e tij më të fundit “Gënjeshtarë të vegjël”.

 

“KAPITULLI I AMERIKËS” – NJË MËSIM PËR JETËN DHE VDEKJEN

‘Ditari’ i shkrimtarit që u përball me një sëmundje të vështirë

 

ALMA MILE/ Kur nuk ke prekur skajin më të fundmë, kur nuk ke luftuar mes jetës dhe vdekjes, kur dhimbja nuk të ka shpuar tej e tej dhe të duash që gjithçka të marrë fund sa më shpejt, patjetër do të doje të dije se çfarë ndjesish provohen.

Ende pa dalë në libraritë e Tiranës, botuesja Irena Toçi më dha mundësinë të lexoj një libër, që të ndriçon me ca përgjigje mbi jetën dhe vdekjen, mbi atë që të mban të kapesh me thonj pas jetës, për pasionet e mëdha, për aventurën, për ndërgjegjen, për miqtë, për ata që të ndodhen në ditë të vështira, që të japin zemër e të ngrenë në këmbë.

 

Gati-gati i kthyer nga ajo botë, shkrimtari Fatos Kongoli nuk e ka fshehur asnjëherë se si është ndier teksa dergjej në shtratin e sëmundjes. Një sëmundje e rëndë, që tronditi gjithë qenien e tij, familjen, por që mori edhe përmasa mediatike.

Por nuk bëhet fjalë më për intervista gazetash, por për një libër rrëfimi, që sot vjen si një botim i shtëpisë botuese “Toena”, nën titullin “Kapitulli i Amerikës”. Pasi shkroi librin “Iluzione në sirtar”, ndër më të suksesshmit e ndër më të diskutuarit në krijimtarinë e shkrimtarit, Kongoli vazhdon rrëfimin me të tjerë kapituj, po aq të rëndësishëm në jetën e tij.

Nëse “Iluzionet” lidhej me të shkuarën, me iluzionet e humbura të të atit, të vetat, një kërkesë ndjese dhe një “larje hesapesh”, për një episod të jetës së tij, “Kapitulli i Amerikës” shënon katër kapituj të rëndësishëm të jetës së tij, në vitet 2000. Janë vite kthesash të mëdha në jetën e shkrimtarit.

Bëhet fjalë, së pari për “jetën e tij amerikane”, imagjinatën e tij për Perëndimin përpara viteve ’90, përballja me Amerikën, ku fëmijët e tij zgjodhën të jetojnë pas zhgënjimesh, që “koha e demokracisë”, jo vetëm që nuk i sheshoi, por i vuri edhe më shumë në pah; ecejaket drejt Tiranës me dimër më të butë se ai amerikan, marrja e shtetësisë.. Dhe i gjithë ky rrëfim shoqërohet me prapavajtje në të shkuarën, te miqtë e rinisë, tek ata që gjeti në tokën amerikane, që nga regjisori Pirro Mani, te shkrimtari Roland Gjoza etj.

Por dy nga kapitujt më të rëndësishëm janë ata të “rënies” dhe “ngritjes”, janë muajt e gjatë të luftës me sëmundjen e frikshme, me një kancer, që për pak i mori jetën. Dy kapitujt që përshkruajnë këtë periudhë janë një ditar pa data i një beteje, që nis që me shenjat e para të sëmundjes, shoqëruar me një “neglizhencë” alla shqiptare, te përgjigjet negative të analizave, dy operacionet e vështira dhe gjithë përpjekjen që bënë mjekët, bashkëshortja e tij e rrallë, Lili, fëmijët dhe miqtë për ta ngritur sërish në këmbë. Kongoli nuk e fsheh se e kishte menduar vdekjen. Vdekjen, si një shpëtim nga vuajtjet.

Me këtë rast ai ngre edhe një pikëpyetje, pikërisht mbi atë të eutanazisë, kur është e kërkuar nga vetë pacienti. Dhe nga ai dëshpërim, që dukej sikur e kishte vënë për fund, vjen dëshira për t’u rikthyer në jetë, për t’u ngritur në këmbë, çka do ta arrinte vetëm falë përkushtimit të mjekëve dhe infermierëve, bashkëshortes dhe miqve. Dhe ky libër duket se është edhe një falënderim drejtuar atyre. Por, më së shumti, sepse për një shkrimtar, nuk mund të ketë “sëmundje” më të pashërueshme se të shkruarit.

“… nuk kisha më dëshirë të shkruaja. Mirëpo, doli që të shkruarit ishte për mua një sëmundje shumë më e fortë, sesa nga ajo nga e cila sapo kisha shpëtuar mrekullisht. Një sëmundje, nga e cila nuk gjen shërim”, shkruan Kongoli që në faqet e para të librit. Ishte pikërisht të shkruarit që e mbajti në jetë, që e ndihmoi të rikuperohej dhe të fillonte një “jetë të re”, me të tjera botime, takime, panaire, çmime letrare.

“Kapitulli për Amerikën” është pa dyshim vepra më humane e Fatos Kongolit, është zëri i çdo njeriu që ka kaluar përmes një ferri, janë ndjesitë e parrëfyera të çdo pacienti në shtratin e spitalit, është vuajtja e çdokujt që ka parë njeriun e dashur te vuan, pa mundur t’i lehtësojë dhimbjen. Shumëkush do të kishte dashur ta shkruante këtë libër, por nuk ka mundur edhe kur ka ditur, sepse për sëmundjet nuk flitet, atyre u rrihet larg, pëshpëriten nën buzë, sepse duket sikur po i përmende, “ato” do të xhindosen..

Fatos Kongoli ndan me ne të pathënat e tij, por, në të vërtetë, ka shkruar edhe librin e shumëkujt prej nesh. Janë të shumtë ata që do ta gjejnë veten. Nuk ka rëndësi nëse arsyeja që i ka mbajtur në jetë është të shkruarit, muzika, familja… Në thelb është dashuria.

KADARE E MERITON NOBELIN

– Rrëfimi i Fatos Kongolit, nga gjyqi i ’81-it te persekutorët: Janë sekt i gjithëfuqishëm. –

ANILA DEDAJ/ Nuk i fsheh emocionet pozitive që libri i tij më i fundit gjeti rrugën për te lexuesi, ndërsa gjithë kureshtje pret përshtypjet e para nga dashamirësit e krijimtarisë së tij.

Fatos Kongoli, me kronikën autobiografike “Kapitulli i Amerikës”, zbulon veten në shumë dimensione, si shkrimtar, bashkëshort, baba, mik, koleg e intelektual që ngre përmes rrëfimeve vetjake çështje thelbësore për individin e shoqërinë. Probleme e ngjarje të mbartura nga e shkuara, që i janë pleksur ndër këmbë këtij vendi e nuk e lënë të bëjë përpara. “A do të marrë fund ndonjëherë fryma e qelbur e luftës së klasave, e trashëguar nga epoka e diktaturës dhe e zbatuar me po aq zell edhe sot e kësaj dite nga të gjitha krahët e politikës sa herë vinë në pushtet?”, shkruan ai.

Pesimizmin për “mendësinë rrënuese” që ka kapluar vendin tonë, duket se ia shtojnë edhe më shumë ndodhitë personale, si gjyqi i bujshëm i vitit 1981, në të cilin u detyrua të merrte pjesë kundër ish-kolegut H.D. Një ngjarje, që, siç tregon në libër, nis me shantazhe e presion e vijon më pas me sulme nga grupe të tëra të nxitura nga smira, interesa të vogla, përkatësia politike etj. Temën e kësaj ngjarjeje shkrimtari e rimerr edhe në këtë libër autobiografik dhe si vazhdim të rrëfimit të kobshëm në “Iluzione në sirtar”. Ndoshta për të kujtuar, sepse, siç shkruan, “te ne, njerëzit janë të prirë të harrojnë dhe kush harron të kaluarën, është i dënuar ta rijetojë”.

Kongoli e kujton mirë ngjarjen e ‘81-shit edhe për faktin se dy prej atyre që i bënë presion atë kohë jetojnë jo larg tij dhe i ndodh të shkëmbehet me ta. Siç pohon për “Panoramën”, ata sot janë jo vetëm të lirë e të paprekshëm, por ende të fortë dhe me influencë. “Kategoria e kriminelëve të djeshëm i përket një sekti okult, i cili gjendet kudo, ka kontrolluar dje, kontrollon dhe drejton edhe sot e kësaj dite tërë jetën e vendit… Ky sekt i kudondodhur është i gjithëfuqishëm, prandaj edhe i paprekshëm, dhe mjerë kush guxon t’ia gërvishttë sadopak fasadën”, shprehet ai më tej, duke sjellë në vëmendje rastin e Agron Tufës, që u detyrua të lërë gjithçka pas e të emigrojë jashtë vendit.

Në rrethana të tilla, kur efekti diktaturë shtrin këmbët dhe pas 1990-ës, ndonëse krenar si një nga firmëtarët e themelimit të Partisë Demokratike, zhgënjimin te koncepti i demokracisë do ta pësojë më vonë. “Te ne u ndërtua një e ashtuquajtur demokraci, një karikaturë demokracie e kam quajtur, që aktualisht ka marrë trajtën e saj më të shëmtuar. Kjo është vepër ‘monumentale’ e gjithë klasës sonë politike, e të gjitha krahëve të kësaj politike, që, sipas meje, kanë dështuar në çdo pikëpamje, sepse vunë qysh në fillim e kurdoherë në plan të parë interesat e tyre vetjake apo të partive përkatëse”, thotë ai në këtë intervistë. Në rrethana të tilla në prag të fundit të 10-vjeçarit të parë, shkrimtari do të pranojë vendimin e fëmijëve për t’u larguar për në Amerikë, i vetëdijshëm se sulmet ndaj tij nuk do t’i linin të përjashtuar dhe shenjat e para i kishte përjetuar me pushimin e së bijës nga puna.

Te “Kapitulli i Amerikës”, ai rrëfen edhe jetesën e tij prej afro 7 vitesh me bashkëshorten, Lilin, në shtetin amerikan, pranë fëmijëve, Dorit dhe Eldës. Vështirësitë e tyre për të ndërtuar jetën në vendin fqinj, shëtitjen me shoqen e zemrës, uraganin “Sandy”, takime e biseda telefonike me një sërë personalitetesh shqiptare që jetojnë në Amerikë si, Pavlina e Piro Mani, Roland Gjozin, shkrimtarët Ramiz Gjini e Naum Prifti, publicistin Llazar Vero etj.

Por, krahas shqiptarëve të njohur, po aq ndjellëse për lexuesin janë “aventurat” e tij në rezidenca letrarësh në Francë, Belgjikë apo Gjermani, ku krijoi një raport miqësor me nobelisten Olga apo tek i rastis të qëndrojë në të njëjtën dhomë të Michel Houellebeck, ku përballet edhe me një gjurmë “misterioze”. Duke iu shmangur rrëfimit linear, ngjarje e biseda e rikthejnë vazhdimisht te “mea culpa” e “Iluzione në sirtar”, ku krahas qëndrimeve të shumë figurave të njohura, ai rrëfen edhe letrën e Gresës, vajzës së Kadaresë, në atë periudhë kritike.

Për këtë ngjarje, ai zbulon më shumë në këtë intervistë, pa lënë pas edhe vlerësimin që bën në libër për kolegun e tij. Kadare shfaqet disa herë në “Kapitullin e Amerikës”, te Kongoli gjimnazist, “fans” i letërsisë së Kadaresë, në reflektimet për “Nobelin”, përmes takimeve me të bijën, Gresën, apo edhe një darkë të përbashkët te miku i tyre, Julien Roche, ku Kongoli kaloi muaj të vështirë rikuperimi pas operacioneve të rënda.

Momentet e vështira të sëmundjes, ai ia zbulon lexuesit me ndjesitë, angaritë e mëdha, Lilin që i rri te koka herë duke fjetur në dysheme e të tjera në kolltuk, por edhe vizitat e atyre ditëve, mes të cilëve përmend edhe Inva Mulën, apo të dërguarin e Sali Berishës. Momente të vështira për të, ku mendoi deri edhe të ikte nga kjo botë. E ndonëse “sëmundja e të shkruarit” doli më e fortë, për eutanazinë, siç tregon, duket se nuk ka ndryshuar qëndrim.

Zoti Kongoli, sapo keni përfunduar librin tuaj më të fundit “Kapitulli i Amerikës”. Si ndiheni pas botimit të tij?

Kuptohet, ndihem shumë i gëzuar që libri, më në fund, në këtë kohë thatësire dhe stresuese të pandemisë, u botua. Është vërtet një kënaqësi e veçantë për mua dhe u jam mirënjohës të gjithë atyre që u morën me botimin e tij.

“Kapitulli i Amerikës” përmban edhe “nënkapitullin” (për të mos thënë kryekapitullin) e Shqipërisë, me dashurinë dhe dhimbjet tuaja për këtë vend. Si ndihet një shkrimtar-prind, ndërsa i duhet fillimisht të mësohet me idenë se fëmijët e tij duan medoemos të largohen nga vendi e më pas të pranojë se ata nuk do të kthehen më për të jetuar këtu?

Si të gjithë prindërit anekënd Shqipërisë që rrethanat ua sollën ose ua sjellin të ndahen nga fëmijët. Doemos, vjen një ditë që këta të fundit kanë jetën e tyre dhe çdo prind them se është i ndërgjegjshëm për këtë. Edhe nëse fëmijët dëshirojnë ose detyrohen të braktisin vendin, ta ndërtojnë ekzistencën e tyre gjetiu, edhe shumë larg, në Amerikë, për shembull, siç është rasti i dy fëmijëve të mi. Është një shprehje popullore, sipas së cilës fëmijëve më mirë t’u kesh mallin se sa hallin… Në rregull, jam plotësisht i një mendjeje. Mirëpo, aktualisht, jemi përpara një fakti që pohohet nga të gjithë. Largimi i brezit të ri, i forcës përtëritëse të kombit, ka sjellë plakjen e Shqipërisë, ku po mbeten vetëm të moshuar. Kjo është diçka jo thjesht e trishtueshme. Për këtë flitet e shkruhet shumë dhe unë nuk kam çfarë të shtoj përveç përvojës sime, të cilën e kam trajtuar hollësisht te libri në fjalë.

Nga njëra anë ju shfaqni krenarinë tuaj për faktin se jeni një nga 300 firmëtarët e Partisë Demokratike, nga ana tjetër në libër reflektoni zhgënjimin për trajtën e karikaturës që mori koncepti i demokracisë në këtë vend. E shikoni të largët ditën që edhe Shqipëria të marrë fytyrën e vendeve perëndimore?

Në retrospektivë më vjen mirë që dikur, në çastin e duhur, u vendosa në anën drejtë të historisë, përqafova atë lëvizje që çoi në përmbysjen e një prej diktaturave më gjakatare të ishbllokut komunist dhe hapi rrugën e vendosjes së demokracisë në Shqipëri, me moton “E duam Shqipërisë si gjithë Europa!”. Kam thënë në një intervistë të botuar para ca kohësh se, më pas, në vend të asaj demokracie që ëndërruam, doradorës, vit pas viti, te ne u ndërtua një e ashtuquajtur demokraci, një karikaturë demokracie e kam quajtur, që aktualisht ka marrë trajtën e saj më të shëmtuar. Kjo është vepër “monumentale” e gjithë klasës sonë politike, e të gjitha krahëve të kësaj politike, që, sipas meje, kanë dështuar në çdo pikëpamje, sepse, sipas meje vunë qysh në fillim e kurdoherë në plan të parë interesat e tyre vetjake apo të partive përkatëse, lidhur ngushtë me këto interesa vetjake dhe jo ato njerëzve, jo interesat e popullit, nëse më lejoni të shprehem kështu. Ata që e vuajnë këtë fakt, janë njerëzit e thjeshtë, është populli. Kjo shëmti vazhdon sot e kësaj dite në trajta të sofistikuara, me lloj-lloj marifetesh e demagogjish, që kanë vetëm një qëllim: mashtrimin e njerëzve dhe ruajtjen e privilegjeve të të privilegjuarve.

Mjaft interesant është edhe rrugëtimi që ju i lejoni lexuesit përmes rrëfimeve, në ato rezidenca letrare që keni qenë. Në këto takime keni hasur emra mjaft të njohur të botës së artit, veçanërisht shkrimtarë. Veçoj këtu miqësinë që nobelistja Olga Tokarçuk shfaq ndaj jush. Megjithatë, ju pohoni se “Nobelin në Letërsi” do ta kishte merituar Kadare. Çfarë ju çon drejt këtij konstatimi?

Me Olgën, për aq kohë sa qëndruam bashkë në atë rezidencë(Francë), patëm një marrëdhënie mjaft të mirë midis kolegësh. Lidhur me çmimin “Nobel”, sigurisht m’u bë qejfi që e fitoi Olga, por them se do të kisha dashur ta merrte Kadare. Jo thjesht se ai e ka merituar këtë çmim prej shumë e shumë vitesh, si një nga shkrimtarët e sotëm botërorë më të shquar. Thjesht një dëshirë e imja, pra.

Vërehet një qasje mjaft dashamirëse ndaj Kadaresë dhe një nga pikëtakimet më interesante është pa dyshim rrëfimi për letrën që e bija, Gresa, ju dërgon në kohë mjaft të vështira për ju. Çfarë domethënie pati kjo letër në atë periudhë?

Rrethanat e njohjes me Gresën në Paris e më vonë i kam shpjeguar hollësisht në libër dhe nuk dua të zgjatem. Letra e saj, për të cilën më pyesni ju, më ka mbërritur në një nga çastet më të vështira për mua, kur ishte ngritur një stuhi sulmesh ndaj meje dhe librit “Iluzione në sirtar”. E vuaja shumë këtë. Ndodhesha në Nju-Jork dhe në kulmin e dëshpërimit më mbërriti një e-mail nga Gresa. Ajo më jepte zemër, më thoshte se e kishte lexuar librin “Iluzione në sirtar”, i kishte pëlqyer shumë dhe më thoshte të mos e çaja kokën për çka shkruhej kundër meje. Ne jemi me ty, më shkruante Gresa. Pendesa thonë se është një nga torturat më të mëdha për njeriun, ashtu siç të kërkosh falje dhe të pohosh të vërtetën mund të jenë çliruese. Kanë kaluar 40 vite prej ngjarjes së kobshme të gjyqit, por ju ende pohoni se “ndjeni një shtrëngim në zemër” sa herë e kujtoni.

Mendoni realisht se mund të kishit vepruar ndryshe, pavarësisht pasojave?

Sigurisht, e them edhe në libër, mund të kisha vepruar edhe ndryshe. Por kjo kërkonte një çmim: t’i thosha burgut hapu!

Pasoja, goditje, kritika, siç edhe vetë i tregoni në libër, patët edhe pas “mea culpa-s” me “Iluzione në sirtar”. Si ndiheni për faktin që ndërsa juve u duhet të përballeni ende me veten e të tjerët për atë ngjarje, siç pohoni, fajtorët e vërtetë ende janë “të paprekur” nga krimet që kanë bërë?

Një pyetje shumë domethënëse kjo! Sipas meje, ata që edhe ju me të drejtë i quani “fajtorët e vërtetë” kanë qenë dhe mbeten të paprekur. Unë mendoj se ata dhe kategoria që përfaqësojnë, kategoria e kriminelëve të djeshëm, i përkasin një sekti okult, i cili gjendet kudo, ka kontrolluar dje, kontrollon dhe drejton edhe sot e kësaj dite tërë jetën e vendit. Sipas meje, ekzistenca e këtij sekti nuk është një teori “konspirative”. Ky sekt i kudondodhur është i gjithëfuqishëm, prandaj edhe i paprekshëm, dhe mjerë kush guxon t’ia gërvishtë sadopak fasadën. Ata i kanë të gjitha mjetet dhe mekanizmat, herë-herë mjaft të sofistikuara, për t’ua mbyllur gojën të gjithëve, për t’i bërë të heshtin të gjithë, disa përmes presioneve, disa përmes falsifikimit të fakteve dhe shpifjeve etj., duke denigruar këdo që i cenon sadopak. Siç ndodhi, për shembull, me shkrimtarin, poetin dhe përkthyesin Agron Tufa, i cili, pa u bërë dot ballë, u detyrua të merrte rrugën e mërgimit.

Me dy prej tyre, siç tregoni, ju ndodh të shkëmbeheni jo rrallë. Në libër hasim inicialet. Por, çfarë ju frenon të pohoni emrat e tyre, dhe pse jo e vërteta të dalë e plotë? Kanë tentuar ndonjëherë të kërkojnë falje apo t’ju shtrëngojnë të mos flisni?

Kam menduar gjithmonë se përmendja e emrave të tyre në trajtën e plotë nuk ka rëndësi, nuk shton asgjë. Për arsyen e thjeshtë se ata njihen botërisht kush janë, veçanërisht në rrethet e intelektualëve.

E kemi biseduar dhe në të tjera intervista, për eutanazinë dhe përpjekjet tuaja për t’u larguar nga kjo botë, kur jeta bëhet tepër e vështirë pas operacioneve. “Po të mundesha do ta kisha bërë”, pohoni në libër mes peripecive që kalonit. Tani që fatmirësisht jeni mirë e shkruani ende, e mendoni njësoj për eutanazinë?

Lidhur me këtë, sot diskutohet shumë kudo nëpër botë. Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem përkrahës e eutanazisë. Falë Providencës, megjithëse unë vajta në kufirin e fundit, mrekullisht mbeta gjallë. Por ka shumë raste kur pacientë të ndryshëm lihen me vite të tëra në një gjendje të tmerrshme, në mëshirë të makinerive, praktikisht të vdekur, pa qenë mirëfilli të vdekur. E kujt i duhet kjo? Nëse vetë pacienti dëshiron të ikë, të lejohet të ikë, të mos torturohet kot, as ai, as të afërmit e tij.

Zakonisht, siç keni treguar, pas përfundoni një roman, keni në mend subjektin e ardhshëm. Duke respektuar parimin tuaj se “ajo që tregohet, nuk shkruhet”, keni pasur ngacmime për “krijesën” e ardhshme letrare?

Të lutem shumë, më lejo t’i përmbahem deri në fund “parimit” tim./ Marre nga Gazeta Panorama