Ermal Meta nderohet me çelësin e qytetit të Barit: “Ky ishte i vetmi vend ku doja të isha”

Këngëtari i njohur shqiptar, Ermal Meta, po korr sukses në tregun muzikor italian e jo vetëm, sidomos pasi u shpall fitues i festivalit të Sanremos

Në shenjë vlerësimi për talentin e jashtëzakonshëm dhe suksesin e merituar, kryebashkiaku i qytetit të Barit në Itali, do t’i japi ditën e nesërme çelësat e qytetit Metës, për shkak të qëndrimit të tij për një kohë shumë të gjatë në këtë vend.

Ermal Meta, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shprehur mirënjohjen e tij mbi këtë nderim, ku ka rrëfyer edhe fillimet e tij të vështira në një vend të huaj teksa ishte në një moshë relativisht të re.
“Ishte viti 1994 dhe isha 13 vjeç, erdha në një qytet që nuk e njihja. Kam takuar njerëz që nuk i kisha parë kurrë më parë dhe dëgjoja një gjuhë që nuk e flisja. Gjithmonë shikoja këmbët e mia kur ecja. “Mos merr ndonjë hap të gabuar”, i thosha vetes, gjithmonë shikoja këmbët e mia, dhe isha i kujdesshëm ku i vendosja.
Mësova një gjuhë që nuk e dija dhe ngadalë fytyrat e të huajve u bënë miq. Qoshet e qytetit u bënë gjithnjë e më të njohura. Flisja pak, por ndjeja shumë.
Unë ecja duke parë këmbët e mia, e më dukej sikur në asfalt pasqyrohej qielli dhe vazhdimisht mendoja “çfarë do të bëhet me mua”? Atëherë hapat e mi një ditë u ndalën në dërrasat e drunjta dhe ngrita vështrimin. Isha në një skenë dhe dëgjova se ishte e vetmja gjë që doja të bëja, ky ishte i vetmi vend ku doja të isha. E dija çfarë do të ndodhte me mua , kështu që fillova të fluturoja lart.
Pas gjithë këtyre viteve qyteti i Barit më jep çelësat e tij dhe ndihem i nderuar dhe mirënjohës për t’i marrë ato. Ata nuk hapin dyer, por kujtimet e mia më të thella. Faleminderit shumë.”