Ekspozita “Larg dhe afër”, nga lufta e Kosovës

Ekspozita “Larg dhe afër” ka sjellë në Tiranë 13 artistë nga Lugina e Preshevës , Bujanovci dhe Medvegja, që për herë të parë ekspozojnë veprat e tyre për publikun në galerinë e artit FAB. Krahas larmisë së veprave të ndryshme në këtë ekspozitë ndihen gjurmët, që ka lënë lufta dhe në formë simbolike vjen me gjuhë artistike.

Nën titullin “Larg dhe afër”, këto vepra bëhen bashkë për të treguar historinë e dy shteteve dhe këtë herë me artit vizual. Artistët që për herë të parë janë në Tiranë prezantojnë me punimet e tyre në pikturë, skulpturë e instalacione, histori që vështirë të harrohen nga një shtet si Kosova, që shënoi dhe 10 -vjetorin e pavarësisë. Pjesëmarrës në ekspozitë janë artistët Sabedin Etemi, Avni Behluli, Vjollca Aliu, Eshref Qahili, Ismet Jonuzi, Avni Zairi, Rafet Jonuzi, Lindita Kurtishi-Beqiri, Adrian Limani, Shqipe Jonuzi, Shqipërim Fejzullahu, Irzeme Zeqiri-Mulliqi, Leoneta Abdyli.

Ekspozita është e kuruar nga Ilir Kaso, i cili tregon se në punët e ekspozuara ndihen shenjat që ka lënë lufta në gjurmët e saj. “Pavarësisht se artisti ka pjesën krijues e përpiqet ti largohet gjatë gjithë kohës realitetit dhe të krijojë fundja realitetin e tij, unë mendoj që sërish është shumë i ndikuar, por flasim për një vend që është pas luftës, pas 1999, i marrin armët duke i sjellë në një tjetër subjekt, dhe duke i dhënë një lloj tjetër formë. Duan ta kthejnë dhe në mënyrë simbolike të gjithë mesazhin, që duan të japin”, pohon kuratori i ekspozitës Ilir Kaso.

Në këtë ekspozitë sipas kuratorit nuk mungon dhe izolimi i shqiptarëve. “Në tematikën e saj ekspozita ka dhe punime, që prek pjesën e izolimit në marrëdhënien me politikat evropiane, por se si kanë ndodhur në kohë këto politika dhe se si parashtrohen nga superfuqitë, apo se si nuk janë të barabarta për disa shtete, dhe se si vendosin fatin e disa popujve të vegjël”, vijon më tej kuratori Ilir Kaso për ekspozitën, që ka sjellë në Tiranë punët e 13 artistëve.