Ekspozita fotografike “Veshtroje”

Shoqata “Together for Life” mbështetur nga UNDP dhe UN Women, ju fton të merrni pjesë në ekspozitën fotografike “VËSHTROJE”.

Kjo ekspozitë zhvillohet në kuadër të projektit me të njëjtin titull, mbështetur nga UNDP dhe UN Women, me fonde të Qeverisë Suedeze nën sloganin “Fund dhunës ndaj grave dhe vajzave!”. Ekspozita “Vështroje” ka për qëllim të sensibilizojë opinionin publik nëpërmjet fotografisë të grave dhe vajzave shqiptare sipas këndvështrimit të gjimnazistëve.

Kjo ekspozitë ju drejtohet nxënësve të shkollave të mesme të përgjithshme, profesionale dhe artistike të të gjithë Shqipërisë. Pjesë e ekspozitës janë punimet më të mira të përzgjedhura nga një juri profesionale, të cilat do të vlerësohen me çmime fituese.

Projekti “Vështroje” është pjesë e Fushatës së Kombeve të Bashkuara “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila ka si qëllim të fuqizojë veprimet për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave në mbarë botën.

Të ftuar në aktivitet do të jenë nxënës të shkollave të mesme, mësues, përfaqësues të UNDP, figura publike, përfaqësues nga Ambasada Suedeze, titullarë institucionesh, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, fotograf profesionistë etj. Aktiviteti do të pasqyrohet në media të shkruara, vizive dhe elektronike.

Ekspozita do të zhvillohet, ditën e enjte, datë 7 Dhjetor 2017, ora 10:00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.