Edi Hila në bashkëbisedim me Eleni Laperin. Mësoni kur!

Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë t’ju ftojë në një bashkëbisedim të hapur për publikun mes artistit Edi Hila dhe studjueses së artit Eleni Laperi.

Ju lutem të na bashkoheni në këtë bashkëbisedim, ku folësit do të diskutojnë më gjerë për ekspozitën e parë retrospektive të Edi Hilës, si edhe për veprimtarinë e tij artistike gjatë dy kohëve në Shqipëri, periudhës komuniste dhe asaj post-komuniste.

Edi Hila dhe Eleni Laperi do të bashkëbisedojnë pranë Sallës së Ekspozitave të Përkohshme, sallë në të cilën është çelur ekspozita Piktori i Transformimit. Ekspozita, e cila u çel më datë 24 maj dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 29 korrik 2018, është një projekt i përbashkët midis Galerisë Kombëtare të Arteve (Tiranë), Muzeut të Artit Modern (Varshavë) dhe Koleksionit Kontakt (Vjenë), nën kurimin e Joanna Mytkowska, Kathrin Rhomberg dhe Erzen Shkolollit.

Edi Hila (Shkodër, 1944) është artist bashkëkohor shqiptar. Ai u diplomua nga Instituti i Lartë i Arteve në Tiranë (1967), dhe ka kryer një formim profesional si skenograf pranë stacionit televiziv të Firences. Kontakti me muzetë si dhe pikturën rilindase do të kishte në të ardhmen një ndikim të rëndësishëm në punën e Hilës, ndërsa në vitet 90-të qëndrimi i tij estetik do të ndikohej nga vëzhgimi i jetës dhe realitetet e transformimit të Shqipërisë post-komuniste. Seritë më të rëndësishme të tij përfshijnë Paradoks (2000-2005), Marrëdhëniet (2002-2014), Kërcënimi (2003-2009), Objekte anash rrugës (2007-2010), Penthouses (2013), Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit (2015) dhe Tenda mbi Çatinë e Makinës (2017). Ai ka ekspozuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Jeton dhe punon në Tiranë.

Eleni Laperi (Tiranë, 1949) është studjuese arti dhe kuratore. Ajo u diplomua për pikturë nga Instituti i Lartë i Arteve në Tiranë (1972). Është ndër themeluesit e revistës PamorART, botim i Galerisë Kombëtare të Arteve (G.K.A.), kryeredaktore e saj (1999), si edhe nismëtare e Programit të Edukimit në G.K.A. (2000). Laperi është autore e artikujve mbi artin shqiptar, e librave dhe përkthimeve mbi artin dhe kulturën. Së fundmi, Laperi është duke kryer një studim mbi autorin Kolë Idromenon, themelues i pikturës realiste shqiptare dhe mbi zhvillimin e artit shqiptar nga viti 1883 deri më 1945. U zgjodh Kryetare e Bordit të Galerisë Kombëtare të Arteve në vitin 2018. Jeton dhe punon në Tiranë.

Më 12 Korrik.

Vendos një përgjigje

Ju lutemi të vendosni komentin tuaj !
Ju lutemi të vendosni emrin tuaj