Poeti dhe shkrimtari i madh shqiptar Dritëro Agolli, ka lënë pas shumë vargje, të cilat flasin për dashurinë e atdheun. Agolli përmes poezive të tij u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Këto janë 16 thënie të Dritëro Agollit mbi dashurinë, të cilat janë postuar mbrëmë nga e bija e poetit, Elona Agolli.
- Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti.
- Bilbili i këndon dashurisë, pa e sharë kurrë.
- Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit.
- Dashuria nuk mësohet në kurse profesionale.
- Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi.
- Për mua gruaja është një krijesë me rroba të endura prej bari, uji dhe ere.
- Dashuria dhe arti nuk bëhen me urdhër, ashtu siç nuk bëhet me urdhër teshtima.
- Dashuria është e para laureshë, që këndon në mëngjesin e rinisë sonë.
- Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti.
- Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet.
- Ai që e ndjek dashurinë dhe nuk e pushton, nuk plaket.
- Dashuria e bën qiellin të vërtitet në kokë si portokall.
- Dashuria deri më sot nuk njeh plan që të plotësohet qind për qind.
- Burri është zbulues, gruaja mbrojtësja e zbulimeve.
- Dashurinë e zmadhon fisnikëria dhe e zvogëlon meskiniteti.
- Dashuria e parë është një provim për të hyrë në dashurinë e vërtetë.