Art & Kulturë

Bruno Shllaku: Teatri i Ri i domosdoshëm, ky që kemi është stallë kuajsh

Bruno Shllaku, një nga aktorët më të rëndësishëm të skenës shqiptare, shprehet se Teatri i ri Kombëtar duhet të fillojë të ndërtohet një orë e më parë dhe se ndërtimi i tij është puna më e mirë që po bën qeveria dhe Bashkia e Tiranës.

Sipas aktorit të njohur shkodran, teatri ekzistues u ndërtua nga Italia fashiste si kapanon ushtarësh dhe vetëm një godinë e re, bashkëkohore, do t’i japë vlerë Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.

“Përsa i përket çështjes së Teatrit, më vjen keq se shumë nuk e dinë që është një godinë që i përket një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojesh. Ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë vlera më të mëdha kur të bëhet një godinë e re, bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit të Tiranës, i cili shumë shpejt do të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës. Reliket, figurat, objektet e suveniret e atij teatri, do të jenë në një seli të shenjtë si Teatri i Ri modern, që jam i bindur se do të ndërtohet”, thotë Shllaku, i cili aktualisht është angazhuar në një produksion të Hollivudit dhe një film mbi Hebrenjtë që do të xhirohet në Poloni.

Deklarata e plotë e aktorit:

“Puna më mirë që bën ndonjëherë qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës. Më vjen mirë që gjithmonë gjërat e mira vazhdojnë sipas traditës klasike, të lindin me vështirësi. Kam parasysh për analogji momentin e parkut të Liqenit, kur u vërsulën i madh e i vogël me drurë e me shkopinj dhe mjete rrethanore për ta ndaluar të bëhej, dhe po ato njerëz vijnë dhe gjejnë qetësi dhe kënaqen ndoshta – ndoshta edhe mburren në heshtje.

Përsa i përket çështjes së Teatrit, më vjen keq se shumë nuk e dinë që është një godinë që i përket një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojesh. Ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë vlera më të mëdha kur të bëhet një godinë e re, bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit të Tiranës, i cili shumë shpejt do të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës. Reliket, figurat, objektet e suveniret e atij teatri, do të jenë në një seli të shenjtë si Teatri i Ri modern, që jam i bindur se do të ndërtohet.

Mos kujtojë ndokush se unë që nuk them teatri im, nuk e them sepse kam frikë. E them Teatri Im se ai është teatri ku unë kam dhënë shfaqje të ndryshme me shumë sukses, në atë skenë legjendare. Jam dakord që Teatri i Ri të fillojë punën një orë e më parë dhe madje kam besim absolut te arkitekti që do vëjë dorë në teatër.

Më në fund ashtu siç kemi kishat dhe xhamitë, po ashtu edhe Teatri Kombëtar, duke e marrë si fe të shqiptarëve artin dramatik, le të ketë rëndësinë e vetë absolute mbi qytetarët dhe për qytetarët.”

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).