“Boeing Boeing” ndalon këtë rradhë në qytetin bregdetar të Durrësit

Komedia e suksesshme “Boeing Boeing” vjen sërish për të gjithë fansat e saj dhe personat që nuk kanë patur mundësi ta shikonin më parë, më 16, 17 dhe 18 mars ora 19:00, në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe.

Tri stjuardesa, më saktë, nga tre vende të ndryshme, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më pare, Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë njohjes të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të treja gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi (me ndihmën e shokut të tij të mefshtë Robert) lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën.

A do të mundet Don Zhuani gënjeshtar ta mbajë në këmbë këtë maskaradë, apo do të ndodhë katastrofa? Si i thonë fjalës: Gjithçka është mirë, kur përfundon mirë.