Bill Cosby e Roman Polanski përjashtohen nga Akademia e Çmimeve Oscar

Akademia e Çmimeve Oscar ka bërë të ditur vendimin për të përjashtuar yllin kinematografik Bill Cosby dhe regjisorin e famshëm Roman Polanski.

Ky vendim është marrë pasi Cosby u shpall fajtor për abuzim seksual dhe regjisori Polanski pranoi marrëdhënien e paligjshme seksuale me një minorene 13 vjeçe, dyzet vite më parë.

Këshilli i drejtuesve të Akademisë së Arteve dhe Kinemasë u mblodhën të martën dhe votuan përjashtimin e aktorit Bill Cosby dhe regjisorit Roman Polanski nga rradhët e tyre, në përputhje me normat e etikës”, është bërë e ditur në deklaratën e Akademisë.

Kjo shërben edhe si një promovim i normave të etikës nga Këshilli, që i drejtohet anëtarëve të tij për sjellje në përputhje me vlerat e dinjitetit njerëzor.

Bill Cosby u shpall fajtor të enjten e kaluar për abuzim seksual në vitin 2004 me një ish-basketbolliste, Andrea Constand.

Ai rrezikon deri në 30 vite burg. Dhjetëra gra të tjera e kanë akuzuar për keqtrajtim për ngjarje që datojnë shpesh, rreth 30 vjet më parë.