Art & Kulturë

Beteja kundër kancerit të gjirit vazhdon…

“Beteja kundër kancerit të gjirit vazhdon…” në datën 20 mars 2018, ora 10.30 am, në Muzeun Kombëtar (hyrja kryesore), Salla e Filatelisë” (kati i dytë).
Kjo veprimtari përbën moment historik për YWCA of Albania sepse përkon me 10-vjetorin e punës sonë në luftën kundër kancerit të gjirit, si dhe sjell një risi për organizatën tonë me angazhimin e sopranos botërore, zonjës Ermonela Jaho, si Ambasadore e kësaj kauze.
Veprimtaria do të nisë me shfaqjen e video-mesazhit të zonjës Ermonela Jaho, Ambasadore e YWCA of Albania për kauzën e luftës kundër kancerit të gjirit; për të vijuar me dëshminë e një gruaje-paciente me kancer në gji, me mesazhe nga personalitete të njohura., dhe për të përfunduar me publikimin e elementëve të fushatës kundër kancerit të gjirit të YWCA of Albania.
Përmes kësaj veprimtarie synohet të rritet ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare për sfidat shumë të vështira, me të cilat ndeshen çdo ditë gratë që luftojnë me kancerin e gjirit, si dhe të kërkohen rrugë e mjete efikase për të ndikuar në rritjen e buxhetit për luftën kundër kancerit të gjirit, në mënyrë të veçantë për trajtimin e pacienteve me këtë sëmundje.
Në këtë veprimtari do të marrin pjesë deputete, ministre, kryebashkiake, përfaqësuese të këshillave bashkiakë, diplomate të huaja në Shqipëri, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, mjekë të Spitalit Onkologjik në Tiranë, paciente me kancer në gji, përfaqësuese të OJF dhe bizneseve të ndryshme.
Në fund të veprimtarisë do të organizohet shitja me çmime simbolike të materialeve promovuese në luftën kundër kancerit të gjirit (shalle, çanta, bizhu, ëmbëlsira etj.). Të ardhurat do të përdoren më pas në fushatën tonë për informimin dhe ndërgjegjësimin e grave dhe të vajzave për dobinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.
Ju ftojmë të bëheni pjesë e të jepni kontributin tuaj në këtë veprimtari, që mëton të ndikojë fort në shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin e grave.
Ky aktivitet organizohet në bashkëpunim me Shoqërinë Farmaceutike Hoffmann-La Roche dhe mbështetjen e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Kompaninë Top-Media, Hygeia Hospital, Ambasada Austriake në Shqipëri, Abi Bank, Agna Group, Telekom Albania, Sophie Caffe, Iceberg Communication, Romoy Albania, PeopleBar Bistro.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).