Primabalerina Ledia Sulaj: Asgjë nuk mund të krahasohet me duartrokitjet e publikut

ledia3

Vjen një periudhë në jetën e çdo vajze të vogël, kur ajo dëshiron të veshë një tutu dhe puante dhe të kërcejë “Liqenin e Mjellmave” para një publiku. Por të jesh një balerinë e suksesshme nuk kërkon vetëm disa orë kursi dhe Ledia Sulaj, primabalerina e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, e di shumë mirë këtë gjë. “Të arrish suksesin duhet të jesh gjithmonë në këmbë, gjithmonë e palodhur dhe gjithmonë në prova” – shprehet Ledia për infokult.al.

Ajo e ka nisur praktikën e baletit që në moshën 5 vjeçare me iniciativë të mamasë së saj,  atëherë kur vajzat e tjera luanin me kukulla ose me litar poshtë pallatit. Ledia tregon që që në fëmijërinë e saj ajo nuk kishte kohë për pushim, por edhe nëse kishte, argëtimi ishte i kufizuar nga frika e dëmtimit të gjymtyrëve.  

Së fundmi Ledia ka marrë pjesë në shumë shfaqje brenda dhe jashtë Shqipërisë.  Ajo tregon udhëtimin e saj profesional në një botë perfekte nga jashtë por me shumë xhelozira nga brenda e ku përveç talentit dhe punës së pafundme, duhet të kesh dhe një karakter të fortë.

 

Para disa ditësh, ju ishit pjesë e shfaqjes  “La Stravaganza & Noces” në një turne në Novi Sad dhe Nis ku për herë të parë trupa e baletit shqiptar luajti në Serbi. Si ishte kjo eksperiencë për ju? Si u prit trupa shqiptare nga publiku serb?

Po, ishte hera e pare pas 60 vitesh. Përvec kënaqësisë së zakonshme që unë ndiej kur kërcej, ishte pak e sikletshe se nuk e dinim se si do të pritej ekzaktësisht. Në të vërtetë ndodhi diçka shumë e bukur pasi ne nënshkruam dhe një kontratë bashkëpunimi dhe do të kemi më tepër evente në Serbi. Ky ishte vetëm hapi i parë dhe mund të them që ishte shumë i suksesshëm. Diçka  interesante ishte kur performuam në Novi Sad në një teatër shumë të madh me dy skena ku luheshin njëkohësisht dy vepra të ndryshme. Publiku na priti shumë mirë, u surprizuam nga kjo gjë. Çdo gjë shkoi shumë mirë realisht.

Viti i fundit për ju ka qënë shumë intensiv me shfaqje, prova dhe lëvizje jashtë Shqipërisë. Si e organizoni kohën e lirë?

Në fakt, kohë shumë të lirë nuk kemi. Por ne jemi mësuar që të vegjël me këtë gjë, të paktën flas për veten. Unë mbaroja shkollën, shkoja në shtëpi dhe bëja prapë ushtrime baleti. Nuk është se kishim atë fëmijërinë e pasur që të dilnim të luanim me top poshtë te lagjia, jo vetëm prej kohës por ngaqë kishim frikë dhe se mos dëmtoheshim. Dhe kështu ka vazhduar gjithë jetën e në njëfarë mënyre jemi mësuar. Mundohemi që sa kemi pushim, të çlodhemi më shumë.

Ju jeni shpallur ballerina më e mirë e vitit në cmimet Kult 2015. Mund të na thoni si ka qënë për ju kjo ndjesi?

Ishte një ndjesi shumë emocionuese dhe e çuditshme pasi realisht nuk e prisja aspak. Unë natën që janë organizuar çmimet Kult kisha dhe premierën e “Noces dhe La Stravaganza”. Madje kam arritur e fundit, pasi kishte përfunduar parakalimi në tapetin e kuq dhe intervistat. Ishin katër nominime për balerinën më të mirë. Kur pashë që kandidimet për çdo kategori ishin shumë emra të fortë, sikur e hoqa nga mendja që mund të përzgjidhesha unë. Dhe kur më thanë emrin, ishte mami që më bëri të reagoja: “Çohu se je ti”. Nuk e mbaj mend çfarë kam thënë në fjalim pasi më erdhi vërtetë e papritur, emocionet bënin të veten. Më vonë u bë dhe një organizim tjetër i çmimeve Kult që u shpërndanë dhe diplomat, aty fola më mirë të paktën. Ishte një ndjesi vërtetë e bukur.

Të kthehemi pak në kohë kur ka nisur karriera juaj. Kur mund të thoni që e keni kuptuar që e keni pasion baletin?

Mendoj që nuk ka një moment  të caktuar që ti e kupton që e do këtë gjë. Ti e nis që e vogël, të pëlqen shumë, ndjen muzikën dhe të pëlqen të kërcesh, fillon një kurs që e merr si lojë deri diku. Pastaj atë “lojën” nuk do që ta ndërpresësh më pasi ti si fillim e pëlqen e ndihesh mirë por dhe aty ke të gjithë njerëzit që njeh që praktikisht do i kesh deri në universitet. Fillon bëhet shumë pjesë e jotja e ti nuk shkëputesh dot më. Nuk është se ka një pikë të caktuar që ti e ndjen që do të bëhesh balerinë. Është një moment kur ti e mendon mirë a do e vazhdosh apo jo, ne e kishim në klasë të tetë atëherë kur duhet të vendosje në njëfarë mënyre. Ideja është që ti e ndjen se çfarë do të bësh, çfarë të bën të ndjehesh mirë dhe vazhdon e bën përgjithmonë.

Të jesh një balerinë e suksesshme kërkon shumë punë që në moshë të vogël. A mund të na thoni që çfarë cilësish duhen për të ia dalë mbanë në këtë industri?

Unë mendoj që duhet punë dhe vetëm punë. Sado të jesh i talentuar, sado të kesh fizikun e duhur, nëse ti nuk praktikohesh dhe nuk punon mjaftueshëm, nuk do të vazhdosh dot kurrë. Unë mendoj që balerinët, madje jo vetëm por të gjithë artistët ose çdo person që do të lërë impakt te publiku duhet të jetë special, në kuptimin që nëse ti i bën dy lëvizje, dy pirueta, kap dy nota, kjo nuk është asgjë, nuk po bën diçka ndryshe. Ideja është çfarë të diferencon nga të tjerët si psh një këngëtar që ka një timber që ti e njeh direkt që është ai, e dallon dhe me sy mbyllur. E njëjta gjë është dhe në skenë për ne.  Nëse dal unë ose çdo balerin/ë tjetër, që nga mënyra se si ecën, se si e ka qëndrimin, duhet të dallohesh, të evidentohesh nga të tjerët. Pra të dallohesh nga turma pasi kur je solo është e lehtë meqë je vetëm ti, ke të gjithë vëmendjen. Por për mendimin tim duhet të bëhesh njësh me personazhin që ke dhe të mos kursehesh dmth edhe nëse ai rol të lodh, të rraskapit, ti duhet të vazhdosh ta duash dhe më shumë madje.

Çfarë këshille do i jepnit të gjithë atyre që janë në një fazë  mëdyshjeje për të ndjekur rrugën e artit?

Shumë të rinjve ju them: ose bëhu ose mos e mendo më. Pra ose e ke vërtetë dëshirë ose nuk e ke. Dëshira nuk është me fjalinë që unë kam dëshirë por do rri ulur e të pres si shkojnë gjërat. Nëse e ke dëshirë, duhet të jesh gjithmonë aty, gjithmonë në prova, gjithmonë në këmbë, pa pushim. As në verë, as në dimër. Sa herë të kesh mundësi të shkosh në sallë, të bësh dhe më shumë prova. Sepse gjërat dhe mund të arrihen por është e vështirë të mbahen. Kjo është pjesa më e vështirë. Nuk ka gjë që arrihet pa sakrifica. Suksesi nuk vjen natyrshëm, duhet ta kërkosh me shumë forcë, sidomos në fushën e artit që ka xhelozi dhe intriga të pafundme. E gjithë rruga e artit është shumë e vështirë por duhet të kesh karakter të fortë dhe ta duash shumë atë që bën. Sidomos me zanatin tonë që është dhe pak afatshkurtër.

Kush kanë qënë mbështetësit më të mëdhenj për ju në karrierën tuaj?

Mbështetëse ka qënë gjithmonë mami. Ajo ka qënë dhe ish-gjimnaste dhe më korrigjon dhe profesionalisht deri në detaje. Është mbështetësja dhe kritikja ime më e mirë. Sepse të jemi të sinqertë, shumë herë ndodh diçka e vogël që mund të jetë e vështirë të kapet nga syri i publikut. Ajo vjen dhe ulet gjithmonë atje, në rresht të fundit, e di dhe vendin nga ku po më ndjek madje. Unë  mundohem që në rradhë të parë të kënaq atë. Njeriu ka patjetër nevojë për një frymëzim, për diçka ose dikë, në rastin tim është një person. Unë dua të kënaq atë sepse e di që nuk më gënjen, edhe kur nuk jam në formën time më të mirë.

Me gjithë lëvizjet dhe në shtete të tjera, çfarë diference keni vënë re mes publikut shqiptar dhe atij të huaj?

Kam vënë re që publiku shqiptar është edukuar shumë. Kur vumë në skenë Arrëthyesin, njerëzit ishin ulur në shkallë ngaqë nuk kishte më vende. Kjo s’kishte ndodhur ndonjëherë më parë për baletin, për operën po, sidomos kur vijnë në skenë emra të njohur. Por baleti ka qënë gjithmonë më në hije. Dhe të shikosh që katër netë rresht, vijnë aq shumë njerëz sa nuk ka as vende, është lumturi, domethënë momenti i duartrokitjeve, njerëzit që ngrihen, është kënaqësia më e madhe. Aty e shikon që puna, mundimi, lodhja dhe e gjithë koha dedikuar asaj shfaqje më në fund po shpërblehet, ai është moment më i bukur. Mendoj që publiku është edukuar pasi ne kemi vënë në skenë edhe shfaqje për fëmijë, gjimnazistë. Dmth kanë qënë vepra me një target grup të caktuar, kryesisht fëmijët dhe adoleshentët që edhe ata ta gjejnë veten. Ose psh shkollat të vinin të na shihnin në prova gjenerale, falas, ose balete me fabula enkas për mosha të vogla. Prandaj mund ë them që e vë re ndryshimin në publik. Janë organizuar dhe më shumë shfaqje, por edhe në libret të ndryshme që të përfshijmë larmishmëri më të madhe ndjekësish, jo vetëm atë shtresën që mendohet elitare që ndjek baletin klasik. Kur ne vëjmë në skenë balete neo-klasike, abstrakte, moderne ose kontemporane vëmë re dhe moshat më të reja që vijnë në sallë.

Më përpara shihnim shumë më pak njerëz dhe në njëfarë mënyre demotivoheshim pak por tani është shumë më ndryshe.

 

 

 

 

Komente