Oltsen Gripshi, artisti që rrëmbeu çmimin "Nelson Mandela"

IMG2862

Oltsen Gripshi ndan një pasion të vecantë për pikturën. Pasion që shkon në një investim të gjatë edukativ, duke filluar që nga liceu artistik “Jan Kukuzeli”, në Durrës e deri përtej kufijve shqiptarë, Itali. Në vitin 2007 ai u diplomua në degën e pikturës pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Verona, me tezën që e bëri të ndihej krenar “Shqipëria dhe shqiptarët në pikturën evropiane”.

Dy vjet më vonë do të merrte titullin master Profesional Post Lauream, në Universitetin e Padovas dhe për tu thelluar më pas në studime të metejshme që tre vjet më vonë i dhanë diplomën shkencore të specializimit të dytë në “Artet pamore dhe Disiplinat e Spektaklit”. Ky vit e gjen në Shqipëri ku përveç se mësues, ai është edhe doktorant, në mbrojtje të gradës Doktor Shkencash në Antropologji Kulturore dhe Histori Arti.

Me një këmbëngulje dhe pasion të madh, ai e gjen veten të përfshirë në shumë aktivitete të artit, në kumtesa dhe kërkime të rëndësishme shkencore si në Shqipëri edhe jashtë saj, konferenca dhe simpoziume si dhe në botime monografike, ku veçon libri i tij shkencor në gjuhën italiane, me titull “Emilio Salgari e i suoi romanzi illustrati da Alberto Della Valle”.

Në karrierën e tij ai numëron çmime dhe vlerësime të rëndësishme ndërkombëtare si çmimi special ndërkombëtar “Raffaello Sanzio 2014” dhe çmimi ndërkombëtar “Michelangelo D’oro” (2013) apo “Le louvre” me motivazionin “për vlera të larta krijuese”, Paris, Francë.

1. Eksperienca dhe përgatitja juaj është mjaft e pasur dhe çdo gjë vërtitet rreth pikturës dhe studimeve shkencore për artin. Sa e fortë është lidhja juaj me pikturën dhe kur ka lindur ajo?

- Është e vërtetë, e gjithë jeta, e përditshmja dhe bota ime e të perceptuarit është e rrethuar nga piktura dhe për pikturën. Lidhja me pikturën është aq e fortë dhe e largët sa mendoj që ka lindur bashkë me mua. Pohoj me plot bindje, nëse nuk do të kisha patur këtë miqësi të ngushtë me pikturën do të isha një person bosh. Bosh si ajo shkretëtira e një shpelle të harruar nga mugëtirat e kohëve, ku errësira e ftohtë të depërton thellë në shpirt dhe të burgos ndjenjat plot ngjyra, të cilat unë vetëm nëpërmjet pikturës dhe artit tim arrij t’i shpreh.    

2. Kaq vite studime jashtë, vleresuar maksimalisht, një vend pune në Bibliotekën e Veronës, çmime ndërkombëtare dhe përsëri një lidhje e pandarë me Shqipërine, gjë që pasqyrohet edhe me punimet e tua të diplomave në Itali. Si shpjegohet kjo?

- Shqipëria, vendi i shqiponjave sikurse e thërrasin të huajt, është vendi më i lashtë, më magjik, më i bukur dhe më i çuditshëmi në botë. Është një instalacion i gjallë i artit bashkëkohorë, të cilin dëshirojnë të gjithë ta prekin, ta shijojnë e ta kuptojnë misterin e kësaj toke homerike dhe njëri nga këta jam edhe unë si biri i saj. Unë kudo ku kam shkuar për të prezantur artin tim kam shprehur me krenari përkatësinë time shqiptare. Një pjesë e veprave të mia ia kam dedikuar fenomenologjisë shqiptare si teza “Shqipëria dhe shqiptarët në pikturën romantike evropiane”, për mbrojtjen e diplomës në Akademinë e Arteve të Veronës. Gjithashtu cikle fotografishë artistike, piktura dhe instalacione me të cilat kam fituar çmimet e para në eventet më prestigjoze të artit bashkëkohorë ku unë kam marrë pjesë.   

3. Cfarë do të thonë për ju çmimet e rëndësishme ndërkombëtare, përveç se shumë vullnet dhe mund? Sepse ju jeni artist i merituar nderi i qytetit Soliano Cavour, fitues i shumë çmimeve prestigjoze ndërkombëtare si; “Raffaello Sanzio 2014” si artisti më i mirë i viti, “Nelson Mandela” si ambasador i kulturës në botë për të drejtat e njeriut, “Michelangelo d’Oro” për fotografinë më të mirë dhe “Le Louvre” per instalacionin etj  

- Po, faleminderit për pyetjen. Çmimet për mua janë një lloji skaneri ku në fund të nxjerr përfundimin se si ti ke ecur përpara, je zhvilluar, sa origjinal e bashkëkohës je me fenomenologjitë e momentit dhe pjekur artistikisht. Çmimet padyshim janë fryt i një pune plot pasion, meditim dhe të një kërkimi estetiko-filozofik se si mund të përcjellësh më mirë konceptet e tua nëpërmjet gjuhës së artit tënd. Çmimet për mua janë frymzim për t’u pësosur ende më tepër artistikisht në poezinë estetike të artit që unë krijoj. Sepse ishin pikërisht këto çmime, të cilat bënë tanimë që prej vitit 2010 që emri im të hynte në enciklopedinë e artit italian përkrah shumë mjeshtrave të mëdhenj të të gjitha kohërave.

4. Si një profesor i Historisë së Artit që jeni tashmë, si i shihni këto dy drejtime, pedagogjinë dhe pikturën. Cfarë i jep njëra tjetrës dhe si ndiheni mes këtyre dy pozicioneve.

- Mësimdhënia ashtu si piktura ka qenë një tjetër pasion i madh për mua. Kam dashur gjithmonë ta realizoj dhe jo më kot tani jam në prag të mbrojtjes së titullit doktor i shkencave në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve për Artin pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Studimet e para i kam mbaruar siç dhe e citova më sipër për pikturë, më pas vazhdova për shkenca juridike dhe pas këtyre viteve studimi e një kërkimi mistik të brendshëm u riktheva përsëri për të studiuar teorinë e artit me Masterin për estetikë dhe kritikë arti në Universitetin e Padovës. Ndërthurja mes praktikës dhe teorisë ka bërë që brenda meje të ndodhë një shpërthim metafizik, i cili nga llava e tij nxorri librin tim të parë shkencor të botuar në Itali në vitin 2011 “Emilio Salgari e i suoi romanzi illustrati da Alberto Della Valle” dhe librin e dytë, por i pari në shqip “Historia e portretit në artin e Rilindjes evropiane shek. III-VI p.l.K”, i cili del së shpejti në treg për të gjithë lexuesit.

5. Ju përpos pikturës dhe mësimdhënies është e vërtetë që i dedikoheni edhe koleksionioneve e kërkimeve tuaja shkencore?

 - Pak më sipër më pyetët se si ndjehesha mes pedagogjisë dhe pikturës?! Në fakt dashuri shumë të mëdha për mua janë si koleksionizmi ashtu edhe shkrimet shkencore. Dashuri, pasione që plotësojnë atë që unë e quaj qark poliedrik. Koleksionet e mia ndahen në disa, ai i veshjeve popullore origjinale shqiptare, i numizmatikës, i cili përfshinë pothuajse të gjitha prerjet e kartmonedhave shqiptare e te huaja, filatelisë dhe stampave artistike që janë të realizuara me teknikën e akuafortes, akuatintës, monotipit dhe linogravorës, të cilat datojnë nga 1400 deri në ditët tona dhe janë 1830 ekzemplarë. Dashuria tjetër janë shkrimet shkencore me të cilat kam hulumtuar shumë tema mbi artin shqiptar, të cilat janë referuar në konferenca ndërkombëtare dhe botuar në revista të ndryshme në disa shtete të botës, SHBA, Itali, Maqedoni, Kosovë, Rusi, Kinë etj 

6. Gjithë këtë pasion për pikturën, a do të mundet publiku ta shohë të shpalosur në një ekspozitë tënden personale?

- Po, sigurisht, jam duke punuar për hapjen e një ekspozite të madhe me veprat e mia më të fundit për publikun shqiptar, por ju kujtoj që në qershor një vepër e imja do të ekspozohet në Bienalen e Firences ku dhe jam emëruar për çmimin prestigjoz të karrierës Lorenzo de Medici 2015. Pjesë e ekspozimit të veprave të mia është dhe pjesëmarrja me një instalacion dedikuar Shqipërisë në nëntor në Bienalen e Marakeshit në Marok, si dhe prezantimi i një tjetër instalacioni me temë Shqipëria kurban MCMXCVII për koleksionin më të njohur për artin kashkëkohor në botë Imagomundi Albania të Luciano Benetton.

 

Pergatiti: Erta Prifti

Komente