Arti Italian i 1900-ës, çel Galerinë e Arteve për 2017-ën

galeria

Janari dhe sezoni i ri në Galerinë e Arteve në Tiranë do të sjellë edhe të parën ekspozitë në Shqipëri të një koleksioni kryeveprash origjinale në pikturë. Ekspozita e parë që çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve këtë vit është ajo me Kryeveprat e Artit Italian të 1900-ës. Pikturat e Novecentos, kryeveprat e artit italian të vitit 1900 do të ekspozohen edhe për publikun shqiptar. Ekspozita, nën kujdesin e Arianna Angelelli; Maria Catalano dhe Federica Pirani me më shumë se njëqind vepra të mrekullueshme, me prejardhje nga Galeria e Arteve Moderne në Romë, ka për qëllim të prezantojë kulturën artistike në Romë dhe në Itali në gjysmën e parë të shekullit të XX, gjuhët që e kanë përcjellë, artistët dhe lëvizjet e referimit duke kaluar nga Simbolizmi, Secesioni, Futurizmi, Klasicizmi i Ri, Shkolla Romane, Abstraktizmi.

Figurat e mrekullueshme femërore, portretet e personazheve të famshëm, pamjet e Qytetit të përjetshëm dhe të fshatit roman, natyrat e vdekura, janë subjektet kryesore të trajtuara nga artistët protagonistë të ekspozitës, ndër të cilët dalin në pah emrat: Giacomo Balla, Carlo Carrà, Giorgio de Chirico, Fortunato Depero, Renato Guttuso, Giacomo Manzù, Tato, Giulio Turcato, vetëm për të përmendur disa nga më shumë se 60 artistët e paraqitur. Ekspozita është promovuar nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, Ambasada Italiane në Tiranë, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, në bashkëpunim me Sovrintendenza Capitolina (Drejtoria e mbikëqyrjes Capitolina), Bashkia e Romës, Departamenti i Rritjes Kulturore, Galeria e Artit Modern të Romës dhe është realizuar e organizuar nga Arthemisia Group.

Komente