ALI PASHË TEPELENA KONSULLIT FRANCEZ : NËNA HANKO, FRYMËZUESJA IME

Në librin e Alphonse De Beauchamp, me titullin Jeta e Ali Pashës botuar në korrik të 1822 në Paris,gjejmë një përshkrim për nënën e Ali Pashë Tepelenës, Hankon, një grua e zgjuar dhe e guximshme, e cila pas vdekjes së burrit të saj, Veliut, u kujdes me devotshmëri për djalin e saj. Pikërisht, për këtë arsye, në faqen 32 të veprës, Pashai i ka rrëfyer konsullit francez, François Pouqueville, të gjithë admirimin që kishte për nënën e tij.

 Aliu, ende shumë i ri për të mbrojtur ato prona të pakta të babait, të cilat armiqtë e tij nuk ia kishin marrë akoma, do t’i kishte humbur të gjitha në qoftë se nëna e tij nuk do të merrte nën kontroll administrimin e tyre.

Deri në atë moment Hanko, vajza e Beut të Konicës dhe e veja e Veli – Beut, dukej një grua e zakonshme. Pak kohë pas vdekjes së Veli – Beut, ajo vuri në dukje aftësinë e saj të madhe dhe forcën e saj shpirtërore të jashtëzakonshme ; por me një karakter të fortë, me disa ngjashmëri me Olimpian, nënën e Aleksandrit, e lindur si ajo në Epir.

Duke mos pasur qëllim tjetër përveçse sigurimin e trashëgimisë së burrit të saj për të birin, Aliun, të cilin e donte shumë, ajo, me kujdesin dhe të gjitha përpjekjet, mori në dorë fatin e familjes (shtëpisë).

Aliu ishte asokohe 14 vjeç. Shpirti i tij i turbullt dhe gjallëria e skajshme u shfaqën herët tek ai. Babai (Veliu) nuk arriti të përqëndronte vëmendjen e tij për të studiuar ; Aliu largohej prej të atit dhe kujdestarit të tij, ikte nga shtëpia fshehurazi dhe shkonte e vraponte nëpër male, duke u endur mes borës dhe pyjeve. Pas vdekjes së babait, duke u mbështetur tërësisht tek nëna  e tij e dashur, ai iu nënshtrua vullnetit të saj, mësoi të lexonte, dukej më i qetë, dhe ndoqi vetëm këshillat e Hankos.

Rrëfimi i Ali Pashë Tepelenës me konsullin francez François Pouqueville :

I detyrohem për gjithçka nënës time, sepse babai pas vdekjes me patë lënë vetëm një strehë dhe disa fusha (ara). Imagjinata ime, frymëzuar prej këshillave të asaj që më dha jetën dy herë, për faktin se ajo më bëri burrë dhe vizir, më tregoi sekretin (rrugën) e fatit tim (të ardhmes). Që nga ai moment, nuk shihja më në Tepelenë vetëm se vendlindjen nga e cila përgatitesha për të sulmuar gjahun që kisha në mendje. Ëndërroja vetëm për pushtet, thesare, pallate, ku me kohën i kam realizuar dhe do të vazhdoj ; sepse pika ku ndodhem, nuk është fundi i shpresave (ëndrrave) të mia.