Art & Kulturë

ALGIERS me koncert në Prizren

Lumbardhi në bashkëpunim me NO RECESS prezantojnë koncertin e ALGIERS, të cilët do të performojnë në sallën e kinemasë në Lumbardhi-Prizren, të mërkurën, më 7 shkurt.

Koncertin e ALGIERS do ta hapë bendi I TPAME I TVRAME, një duo darkwave / coldwave / minimalwave / shoegaze / post-punk / industrial nga Tirana dhe Prishtina.

Muzika e ALGIERS përmban elemente të post-punk, no wave, blues, gospel dhe muzikës industriale. Muzika e tyre e vlerësuar nga kritikët është jashtëzakonisht politike; ata në këngët e tyre tingëllojnë të shqetësuar, të gëzuar dhe të zemëruar në të njëjtën kohë. ALGIERS shprehin aktivisht kritikë kulturore duke komentuar sferën politike, shoqërore dhe fetare.

ALGIERS është i bazuar në New York (SHBA) dhe Londër (Britani e Madhe). Grupi u formua në vitin 2009 në Atlanta, Gjeorgji, kur kitaristi Lee Tesche dhe basisti Ryan Mahan, të dy anëtarë të skenës së rock-ut dhe noise-it të qytetit, hasën në vokalistin dhe kitaristin Franklin James Fisher, i cili rrënjët muzikore i kishte në traditën e madhe të muzikës gospel të Deep South, soul-blues të Nina Simone dhe zhanrit funk. Të gjithë anëtarët e bendit luajnë në perkusione e tastierë dhe bëjnë programimin e daulleve.

Drejtori i Lumbardhit, Ares Shporta, shprehet i lumtur që në bashkëpunim me NO RECESS është bërë e mundshme që ALGIERS të performojnë në Prizren, respektivisht te Lumbardhi.

“Bashkëpunimi me NO RECESS është një mundësi e jashtëzakonshme për ta ndërtuar një platformë alternative në Prizren dhe kultivuar një audiencë të re në hapësirën e Lumbardhit. Jemi shumë të entuziazmuar për ardhjen e ALGIERS, por edhe të programeve tjera që do të pasojnë drejt pranverës”, pohon Shporta.

The Underside of Power, albumi i dytë i ALGIERS i publikuar në qershor 2017, është produksion i Adrian Utley dhe Ali Chant nga Portishead, derisa është miksuar nga Randall Dunn (Sunn O), me post-produksion nga Ben Greenberg (the Men, Hubble). The Observer e quan ‘fuzion fenomenal të muzikës klasike soul nga të 60-at me eksperimentim post-punk’, derisa ‘Rolling Stone’ e komplimenton si ‘mënyrë e re dhe origjinale për interpretim të blues-it’.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).